18:00, 1 Janar 2019 Autor: Njomza Pllana

Dëshira për të ruajtur bukurinë e jetës ka krijuar një formë mahnitëse të artit e cila mban emrin fotografi.

Fotografia e parë, ose më saktësisht, fotografia më e hershme e njohur e mbijetuar e bërë në një aparat fotografik u realizua nga Joseph Nicéphore Niépce në 1826 ose 1827.

Me fotografi që nga viti 1965 merret edhe Isa Ethemi nga Prishtina.

Ish- fotografi i Radio Televizionit të Prishtinës për klankosova.tv ka treguar për fillimet e punës së tij dhe se prej nga e mori këtë zanat.

“Në vitin 1965 kam bërë fotografinë e parë si fotograf amator për shkolla, kam përdorur teknikën popullore të thjeshtë, e nga kjo jam përgatitur për ekspozita atëkohë për në ish-Jugosllavi. Gjatë kohës kur isha gjimnazist kam pasur së paku dy ekspozita në vit me 20 deri 30 fotografi, që kanë qenë të ndryshme”.

Ethemi kujton me nostalgji mënyrën se si bënte fotografi fshehurazi për natën e ndërrimit të motmoteve.

“Atëbotë ka pasur fotografi për Vitin e Ri por që kanë qenë totalisht private dhe kryesisht janë bërë nëpër Hotele që kanë pasur ndeja për natën e vitit të ri, por edhe për këto fotografi është dashtë me pas akreditim por që unë i kam bërë fshehurazi dhe privatisht, kam rreziku vetëm që njerëzit të mbajnë kujtim atë natë”.

Ai profesionin e fotografisë e trashëgoi nga vëllai i ndjerë, e këtë e përcolli edhe tek shtatë anëtarë të tjerë të familjes.

Ani se nuk e ushtron direkt këtë profesion që për 50 vjet e bëri me shumë pasion, Ethemi ka një studio ku bën përpunimin e fotografive.

Ai tregon për klankosova.tv se si e sheh fotografinë e ditëve të sotme.

“Fotografinë e sotme nuk e pëlqej sepse për shembull një fotografi e punuar atëherë ka jetuar me vite dhe është përcjellë gjeneratë pas gjenerate, kurse tani në rast se një fotografi i ekspozohet diellit për shumë kohë i humbet ngjyrat, ne përpara kemi pasur videoteka ku i kemi ruajtur filmat e aparatit ndërsa tani asgjë nuk është e sigurt pasi me një virus në kompjuter të gjithë fotografitë mund të fshihen, pra fotografia sot është shumë e shpejt por kualitet të dobët ka”.

Problemet me shikimin Ethemit ia kanë pamundësuar të vazhdojë të bëjë fotografi e për këtë arsye mbi 12 aparate fotografike ia dhuroi një koleksionisti aparatesh në Turqi.

Por ndryshe nga Isa Ethemi është fotografi, Granit Mamaj, i cili profesionin e tij e ushtron në një kohë e teknologji tjetër.

“Ndryshimi për të realizuar fotografi për festa në përgjithësi e për Vitin e Ri në veçanti është goxha i madh për dallim nga vitet e mëhershme.Kohë më parë rrallëherë dikush ka bërë fotografi, por edhe ato që janë bërë kanë qenë fotografi të thjeshta që ishin fotografi familjare, e që bëheshin me aparate të thjeshtë me film, ndërsa tani së pari teknologjia ka evoluar shumë nuk është më si përpara pasi me një fotosesion unë realizoj 1000 ose 2000 fotografi të cilat mund të shikohen, të selektohen dhe të editohen”

Mamaj tregon më gjerësisht për kërkesat që kanë njerëzit tani për fotografitë e Vitit të Ri.

“Fotosesioni për vitin e ri ose ndonjë rast tjetër si ditëlindje, martesë ose fejesë, realizohet një apo dy javë para datës dhe zgjatë vetëm një ore ose dy. Por edhe kërkesat e njerëzve kanë ndryshuar tani pasi gjatë një fotosesioni ata mund të ndryshojnë veshjen disa herë, grimin por që me të gjitha këto edhe çmimi ka ndryshuar”, ka thënë Mamaj./klankosova.tv/.

 

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë