Si mund ta dini nëse e keni HPV-në, virusin kancerogjen e seksualisht të transmetueshëm? NULL NULL nga Edona Vuçitërna 17.02.2022 11:38 nga Edona Vuçitërna 17.02.2022 11:38 Të flasësh për infeksionet ose sëmundjet seksualisht të transmetuara, është disi ende tabu në familjet tona. Kjo është edhe arsyeja pse shumë shqetësime shëndetësore mund të vijnë papritur, duke mos e ditur se mund t’i kishim parandaluar me kohë nëse do t’i kushtonim më shumë rëndësi informimit tonë rreth mbrojtjes nga rreziqet e ndryshme, e sidomos nga ato që vijnë prej përfshirjes në marrëdhënie seksuale. HPV është një lloj i virusit që raportohet se prek shumicën e njerëzve gjatë jetës së tyre. Bëhet fjalë për një grup virusesh që llogariten të zakonshëm e që nuk shkaktojnë ndonjë problem te shumica e të infektuarve, por që disa lloje sjellin lytha gjenitale ose kancer. Raportohet se nuk është e nevojshme të keni kontakte seksuale me shumë njerëz për t’u infektuar me HPV dhe se mund ta merrni virusin që në herën e parë që jeni seksualisht aktivë. Disa sallone depilimi në kryeqytet, për Klankosova.tv kanë deklaruar se sidomos gjatë vitit të fundit kanë hasur në shumë gra, kliente të tyre, që zonën gjenitale e kishin të “pushtuar” nga lythat. Për këtë, ne kontaktuam me gjinekologen nga Spitali Bahceci, Jehona Binishi Hysa, e cila për lexuesit tanë shpalosi gjithçka që duhet ditur lidhur me atë që njihet me shkurtesën HPV. Sipas saj, Human Papilloma Virus është virus qe merret me kontaktin seksual, sidomos në rastin e ndërrimit të shumtë të partnerëve dhe se një person i infektuar me HPV nuk mund ta vërtetojë vet që e ka virusin deri në momentin kur shfaqen ndryshimet, siç janë kondillomat, pra puçrra në formë të lythave që shfaqen në organin gjenital të mashkullit ose në hyrjen e vaginës së femrave. “Analiza që e zbulon këtë infeksion është testi për HPV i cili bëhet te gjinekologu dhe merret një tampon në qafën e mitrës dhe fiksohet, pastaj materiali dërgohet për testim gjenetik. Me rëndësi gjatë testimit është të bëhet edhe tipizimi i virusit HPV, d.m.th të testohen tipet dhe nëntipet që janë të rrezikshme për të shkaktuar kancerin e qafës së mitrës”. “Rrezikshmëria nga HPV virusi është e njëjtë sikur te femrat ashtu edhe te meshkujt, edhe pse te gjinia femërore ka rrezikshmëri më të lartë sepse shkakton kancerin e qafës së mitrës, mirëpo edhe te meshkujt gjatë seksit oral mund të bartet edhe në organet e sipërme të frymëmarrjes dhe shpesh shkakton edhe kancerin e fytit ose ezofagut”, sqaron Hysa. Lajmi i keq në këtë rast është që tejkalimi total i sëmundjes nuk mund të bëhet, mirëpo mjekja shprehet se ajo dhe kolegët e saj gjinekologë tentojnë që te pacientet femra ta rrisin aktivitetin e sistemit imunitar dhe që në këtë mënyrë ta ulin shkallën e virulencës së virusit dhe të bëjnë që virusi të qëndrojë latent (në gjendje qetësie) në organizëm. Por, pasi e kuptojmë që jemi infektuar, çfarë duhet bërë? “Personi kur e kupton që e ka virusin HPV, së pari duhet të ketë kujdes që ta mbrojë partnerin dhe të kenë në vazhdimësi marrëdhënie seksuale me mbrojtje, d.m.th me përdorimin e prezervativit. Pastaj të jetë më i kujdesshëm në marrjen e vitaminave, ushqimit me vlera ushqyese që organizmi ta luftojë me forcat natyrale këtë sëmundje virale”. Ekziston vaksina parandaluese dhe me to është i pajisur edhe shteti ynë! Megjithëse, siç shprehet gjinekologjja, niveli i vetëdijesimit te ne është i ulët. “Metoda mbrojtëse më e mirë është vaksinimi i vajzave të reja nga mosha 11-vjeçare, siç aplikohet në të gjitha vendet e botës përfshirë edhe vendet e rajonit përreth Kosovës. Vaksinimi kundër HPV-së ka hyrë tanimë në programin nacional të vaksinimit të vajzave dhe e ul dukshëm shfaqjen e sëmundjes së kancerit të qafës së mitrës”. “Janë 2 lloje të vaksinave: Gardasil dhe Cervariks që aplikohen në botë në tre doza dhe mbrojnë femrat si dhe meshkujt nga HPV. Nëse personi është i infektuar, marrja e vaksinës ka shumë pak impakt pozitiv”. Por, kontakti seksual nuk është “dritarja” e vetme si një person mund ta merr virusin në fjalë, pasi mendohet që me kontakt direkt ai mund të bartet, si përmes shkëmbimit të të brendshmeve, pra përdorimit të njëjtë të tyre. “Në vendin tonë, niveli i vetëdijesimit është akoma në shkallë të ulet. Po flas për masën e madhe të popullatës që nuk e kanë dijeninë mbi virusin HPV, përveç gjeneratave të reja që fatmirësisht kanë informacion dhe kërkojnë të testohen, ose kur kanë ndryshime kondillomatoze mjeku u preferon që të testohen”. “Shtresës më të ulët të popullatës testimin për HPV zakonisht ua kërkon mjeku në rastet kur kemi rezultat jo të mirë të pap testit, andaj shpeshherë për evaluimin e mëtutjeshëm të gjendjeve prekanceroze e kërkojmë edhe HPV testimin, i cili fatkeqësisht bëhet vetëm nëpër laboratore private”. “Për shkak të kostos së lartë, nuk e posedon spitali shtetëror”, përfundoi për KlanKosova.tv gjinekologjia Jehona Binishi Hysa. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Këshilla mjekësore Si ndikojnë patatet në tensionin e lartë të gjakut dhe shëndetin e zemrës? 27/06/2025