Lajmet e fundit

Vendimi për ndarjen e shtesës prej 150 eurosh u dedikua për mjekët specialistë që punojnë vetëm në sektorin publik.
Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë jashtë kësaj skeme la mjekët e përgjithshëm dhe punonjës të tjerë shëndetësor.
Andaj, të njëjtët filluan të ankohen për vendimin e 23 korrikut të 2026-ës.
Një mjeke e përgjithshme në një prej QKMF-ve të Kosovës, në kushte anonimiteti tha për Kiks Kosovën se nuk kanë bërë ankesa zyrtare, por pritjet e tyre kanë qenë që kjo shtesë do të përfshinte edhe kategorinë e tyre.
Për mjekët e përgjithshëm, shqetësimi lidhet me dallimin në pagë ndërmjet tyre dhe mjekëve familjare.
Sipas mjekës së përgjithshme, edhe pse ka pasur mundësi për të punuar në sektorin privat, ajo ka zgjedhur të vazhdojë punën vetëm në institucionin publik.
Përveç aspektit financiar dhe mungesës së shtesave për këtë kategori, shqetësim për mjekët e përgjithshëm mbetet edhe mungesa e perspektivës profesionale, saktësisht mos hapja e specializimeve tash e ca kohë.
Edhe një mjek tjetër i përgjithshëm e sheh si të arsyeshme që shtesat të jenë të njëjta për profesionistët që kryejnë punë të njëjtë në raport me pacientët.
Ministria e Shëndetësisë, sipas tij, duhet të përfshijë në këto shtesa edhe kategori të tjera në mënyrë që të rrisë motivin për punë për gjeneratat e reja.
Kundër këtij vendimi, dolën edhe kategori të tjera të sistemit shëndetësor.
Oda e Mjekëve, për Kiks Kosovën tha se, meqenëse nuk kanë qenë pjesë e procesit të hartimit dhe miratimit të këtij vendimi, nuk mund të japin interpretim juridik lidhur me përmbajtjen e tij, e as të përcaktojë se cilat kategori të mjekëve janë përfitues të kësaj shtese.
Megjithatë, sipas tyre, vendimi do të duhej të formulohej në atë mënyrë që të mos krijonte paqartësi tek punonjësit shëndetësor.
Në anën tjetër, ankesa pati nga Oda e Infermierëve të cilët nuk përfitojnë nga këto shtesa.
Sipas tyre, ata janë të gatshëm për bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, me qëllim që të gjenden zgjidhje që mbështesin dhe motivojnë të gjithë profesionistët shëndetësorë, jo vetëm një kategori të tyre.
Derisa Ministria e Shëndetësisë, këtë vendim potencon që e ka marrë duke u bazuar në rregulloren nr.02/2023 për shtesën e nëpunësit shëndetësor.
Nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës thonë se vendimi ka krijuar pakënaqësi pasi puna në institucionet publike realizohet si ekip dhe jo në mënyrë të ndarë sipas profesioneve.
Kryetarja Tevide Imeri, thotë se sindikata nuk është kundër shtesës për mjekët specialistë, por kërkon që ajo të zgjerohet edhe për infermierët dhe stafin tjetër shëndetësor.
E pikërisht për këtë çështje, nga Institucioni i Avokatit të Popullit thonë se tashmë kanë pranuar ankesa nga punonjës tjerë shëndetësorë.
Burim Tahiri, drejtor i Departamentit për Çështje Ligjore dhe Hulumtim, shpjegon se si legjislacioni lejon që shtesa të përfitojnë kategori të ndryshme.
Mirëpo, ai thotë se një mundësi e tillë mund të aplikohet edhe për kategori të tjera të sistemit shëndetësor.
Por, mbi çfarë analize është bazuar vendimi?
Kjo qe pyetja që ngriti gazetarja e shëndetësisë, Saranda Ramaj për vendimin e Ministrisë.
Vendimi që mjekët specialistë të sektorit publik të shpërblehen me nga 150 euro, sipas Ramës, do të duhej të bazohej në arsyetime të forta.
Një tjetër çështje për të cilën ngritë dyshime Ramaj është se sa ka kontroll mbi atë se kush përfiton nga kjo shtesë.
Më poshtë, ndiqni kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë çështje:
Ndiqeni emisionin e plotë: