Si e sa po respektohen masat anti-COVID në Pejë? (VIDEO)

Si e sa po respektohen masat anti-COVID në Pejë? (VIDEO)

2 muaj më parë

Sonte në qytetin e Pejës Inspeksioni Komunal bashkë me Policinë kanë ndërmarrë një aksion për të parë nëse po respektohen mjaftueshëm masat anti-COVID nga qytetarët dhe bizneset.

Drejtori i Inspeksionit Komunal në Pejë Leutrim Murtezaj në Edicionin Special në Klan Kosova ka treguar më shumë detaje rreth këtij aksioni që, sipas tij, ndodh çdo natë.

“Këtë aksion jemi duke e zhvilluar në bashkëpunim me Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinarisë në kuadër të nivelit qendror dhe po ashtu me Policinë e Pejës. Jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë që të implementohen vendimet e Qeverisë”.

Ai ka thënë se shumë më shumë gjoba për mosrespektimin e masave anti-COVID janë shqiptuar për qytetarët sesa për bizneset.

“Sot janë shqiptuar gjoba, kryesisht për personat fizikë të cilët nuk kanë respektuar vendimet e qeverisë që të përdorin masa mbrojtëse siç është maska. Më shumë gjoba janë shqiptuar për qytetarët si persona fizikë për faktin se bizneset po implementojnë jashtëzakonisht shumë vendimet e qeverisë, sidomos në respektimin e orarit të punës. Do të kërkoja nga pronarët e bizneseve në gastronomi që të mos i shërbejnë klientëve që nuk kanë maska. Nëse pronarët e bizneseve na ndihmojnë neve për implementimin  e vendimeve të qeverisë do t’i ndihmojnë edhe vetvetes”.

“Më herët kemi pasë mbi 500 gjoba të shqiptuara në kuadër të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, derisa edhe me vendimet e tashme të qeverisë numri i gjobave është rreth 200 që është jashtëzakonisht numër i lartë për një kohë shumë të shkurtër”.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të vetëdijësohen dhe të besojnë se ekziston koronavirusi dhe është shumë i rrezikshëm.