Si bëhet riformimi i gjirit tek gratë e prekura me kancer? - intervenim që QKUK po e ofron falas (VIDEO)

Si bëhet riformimi i gjirit tek gratë e prekura me kancer? – intervenim që QKUK po e ofron falas (VIDEO)

NULL NULL
1 week më parë

Pas raportimit ditë më parë të Klan Kosovës, se Qendra Klinike Universitare e Kosovës ofron shërbime falas për riformimin e gjirit për gratë e prekura me kancer, është rritur numri i atyre që duan të kryejnë këtë intervenim.

Kështu ka bërë të ditur Violeta Zatriqi nga Kirurgjia Plastike, e cila tha se kjo është gjë pozitive për këtë kategori të shoqërisë pasi deri më sot kishte munguar informacioni.

Tutje ajo ka thënë në Sytë 7 se për mjekimin e kancerit duhet të niset nga diagnostikimi i saj, e deri tek procesi i fundit, rekonstruimi i gjirit.

”Rekonstruimi i gjirit bëhet çdo kund në botë, fatkeqësisht përveç tek ne. Ne si Klinikë e Kirurgjisë Plastike kemi bërë disa intervenime të tilla. Megjithatë nuk është ynë, porse gratë nuk e kanë pasur këtë informacion”.

”Ka munguar informacioni sepse vetëm përmes informimit përmes mediave, ne deri sot brenda 10 ditësh kemi vizituar diku 45 gra dhe në pyetësorët që ne kemi bërë, nga të gjitha gratë që janë pyet nga kush e kanë marrë informacionin, të gjitha na referojnë se informacionin e kanë marrë përmes mediave”.

”Që 10 vjetët e fundit ne jemi të gatshëm t’i operojmë këto gra. Rekonstruimi i gjirit bëhet me dy metoda. Ekziston rekonstruimi i hershëm apo primar, dhe metoda e dytë bëhet në fazën e mëvonshme, në një periudhë prej dy viteve, gjë që e vlerëson onkologu për shkak të mjekimeve dhe terapive”.

”Kryesisht çmimet për operacionet rekonstruktive janë marramendëse në vende të tjera apo në klinikat private. Një operacion rekonstruktiv me anë të implanteve çmimet mund të sillen diku 2000 euro, sepse diku vetëm 1000 euro kushton vetëm implanti, dhe kjo është e papërballueshme për një grua. Ndaj QKUK është në shërbim falas për të gjithë qytetarët e Kosovës. Krahas të gjitha patologjive të tjera, ne duhet t’ua ofrojmë edhe këtë mundëi të operimit”.

Sipas Zatriqit kjo kampanjë nuk përfundon vetëm këtë muaj, por do të vazhdojë për muajt e ardhshëm dhe çdo vit.