Shumë ndihmë nga Kosova për Ukrainën mosnjohëse (FOTO+VIDEO) NULL NULL nga Edona Vuçitërna 23.06.2022 08:54 nga Edona Vuçitërna 23.06.2022 08:54 Edi Rama mund t’ia ketë ndryshuar mendjen Volodymyr Zelenskyt për Kosovën. Por, presidenti ukrainas zor të mos jetë informuar edhe më herët se shteti evropian të cilit ai nuk ia njeh pavarësinë, i ka ofruar ndihmën më unike popullit të tij të ikur nga sulmet ruse. Derisa shefi i qeverisë shqiptare ia kujtoi presidentit në Kiev se Kosova është rreshtuar përkrah Ukrainës që nga filimi i agresionit, humoristit të veshur politikan, duhet t’i kenë lënë përshtypje dy nga angazhimet e qeverisë dhe popullit kosovar. Kosova është i vetmi shtet, ku qeveria e ka marrë përsipër strehimin e gazetarëve të ikur nga Ukraina. Por, është edhe i vetmi shtet ku ukrainasit po marrin mësime për deminimin, dhe atë nga një organizatë joqeveritare. Këso ndihma, ukrainasit nuk kanë gjetur gjëkundi. Këtë të paktën sa u përket gazetarëve, e konfirmon Flutura Kusari, këshilltare ligjore nga Qendra Europiane për Liri të Shtypit. “Ky është programi i vetëm në Europë që financohet nga qeveria e një shteti dhe është duke u marr si model edhe nga shtetet tjera të cilat po planifikojnë të ofrojnë programe të tilla”, tha Kusari për Klankosova.tv. Ajo shtoi se programi nga i cili deri tash kanë përfituar 5 gazetarë, është mirëpritur jashtëzakonisht shumë nga unionet e gazetarëve në Ukrainë dhe se bashkëpunimi me ta është i përditshëm. “Aktualisht jemi duke i trajtuar edhe disa kërkesa dhe besoj që pas dy-tre javësh do të mirëpresim edhe disa gazetarë nga Ukraina”, njoftoi Kusari. Programi Gazetarët në Rezidencë në Kosovë është program i Qendrës Europiane për Liri të Shtypit (ECPMF) dhe Federatës Europiane të Gazetarëve (EFJ), që financohet nga Qeveria e Kosovës dhe zbatohet bashkë me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës. E drejtuesit e këtij të fundit, thonë se ky bashkëpunim tani po merret shembull nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), por edhe nga qeveritë dhe asociacionet e vendeve të tjera në Evropë. Kjo, derisa programi kosovar i ka dy efekte. “Ky program po shërben që opinioni ukrainas të njoftohet me Kosovën dhe mikrpitjen e saj, dhe gjithashtu që opinioni kosovar të njoftohet me betejën e përditshme të Ukrainës me agresioni rus,” tha Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së. Vetë gazetarët e strehuar në Kosovë janë shfaqur të kënaqur me kushtet dhe mikpritjen, ndonëse disa ndihen keq që vendi i tyre nuk e ka njohur Kosovën. Vetë shefi i qeverisë, Albin Kurti, i takoi në ditën botërore të refugjatëve, katër gazetarët e parë nga 20 sa pritet të vijnë. Kurti takohet me gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë Programi i financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës mbulon kostot e jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’ua mundësuar gazetarëve ukrainas të punojnë nga distanca. Ndërkohë, dhjetëra shtetas të tjerë të vendit në luftës erdhën në Kosovë për të marrë udhëzime profesionale për largimin e minave. Edhe kjo një mundësi unike e ofruar nga Kosova, e për të cilën raportuan edhe mediat më të mëdha botërore. “Dy grupe e kanë përfunduar, ndërsa grupi i trete i ukrainasve pritet të fillojë trajnimin të hënën. Grupi i parë ishte i përbërë vetëm me gra, grupi i dytë ishte i përzier dhe po besoj që edhe grupi i tretë do të jetë i tillë”, tha për Klankosova.tv Arben Qorraj, drejtor i Qendrës së Deminimit. “Kosova atyre po u pëlqen shumë, sepse kemi kaluar nëpër të njëjtat telashe siç po kalojnë ata atje tani, me vrasje, masakrime e dhunime”. Sipas tij, shumica e pjesëmarrësve në trajnim janë persona që punojnë për agjenci shtetërore dhe një pjesë e madhe e tyre veçse kanë nisur punën me largimin e minave dhe shpëtimin e jetëve. Qeveria e Kosovës edhe me deklarata, edhe me veprime ka shfaqur përkrahjen për Ukrainën. Madje, për simbolikë edhe objektin e vet e ka mbuluar me flamurin e këtij vendi. Por, nga Kievi reagimet kanë qenë të pakta. Deri më tani gjesti më domethënës ka qenë vendosja e flamurit të Kosovës midis atyre të vendeve që duhet falënderuar. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Crosetto pas takimit me Maqedoncin: Do të bashkëpunojmë me FSK-në për të mbështetur sigurinë në rajon 44 minuta më parë
Kosova Maqedonci informoi homologun italian për mbështetjen që Kosova po i ofron Ukrainës 1 orë më parë
Kosova Maqedonci pas takimit me homologun italian: Kosova në NATO do të garantonte stabilitet dhe paqe në Ballkan 2 orë më parë