Lajmet e fundit

Shkruan: Blerta Ahmeti
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shtyrë seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të akuzuarve Lavdim Krasniqi, ish-drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe shoferit të tij Ardian Krasniqit. Seanca e radhës është caktuar për 21 shtator 2026, në orën 09:30.
Sipas njoftimit zyrtar të Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, seanca ishte paraparë të mbahej më 3 shtator 2026, në orën 13:15, por është anuluar për shkak se kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Alban Avazi, gjendet në pushim mjekësor.
Rasti penal ka të bëjë me akuzat ndaj Lavdim Krasniqit dhe Ardian Krasniqit për vepra penale të lidhura me bashkëkryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit nga neni 424, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, si dhe për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Ndërkaq, Ardian Krasniqi akuzohet edhe për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, paragrafi 2, lidhur me nenin 1 të KPRK-së.
Historia e procesit të gjykimit ndaj Lavdim Krasniqit dhe Ardian Krasniqit
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi, atëherë drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe Ardian Krasniqi, shoferi i tij, akuzoheshin se nga viti 2018 deri më 2019, në bashkëkryerje, kishin kërkuar dhe pranuar rreth 40 mijë euro dhe një veturë në vlerë prej 25 mijë eurosh, në këmbim të ndikimit në uljen dhe shtyrjen e dënimit të Bashkim Mulollit.
Për këto veprime, ata akuzoheshin për “Ushtrim të ndikimit” dhe “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas aktakuzës, dy Krasniqët kishin ndihmuar edhe në arratisjen e Albi Mulollit nga Kosova drejt Shqipërisë, duke përdorur veturën zyrtare.
Marigona Berisha dhe Ardian Krasniqi akuzoheshin për “Falsifikim të dokumenteve”. Berisha dyshohej se kishte falsifikuar një dokument për pagesën e 9 mijë eurove ndaj Bashkim Mulollit, ndërsa Ardian Krasniqi një test COVID-i, me qëllim të shtyrjes së ekzekutimit të dënimit të Mulollit.
Lavdim Krasniqi dhe Flora Doda akuzoheshin gjithashtu për keqpërdorim të pozitës në procedurat e prokurimit publik, përmes të cilave, sipas prokurorisë, ishin favorizuar dy operatorë ekonomikë.
Krasniqi akuzohej edhe për mosdeklarim të pasurisë, pasi në deklaratën e pasurisë nuk kishte përfshirë 40 mijë euro të pranuara nga shitja e një banese dhe 10 mijë euro të dhëna për blerjen e dy banesave.
Ndërkaq, Marigona Berisha akuzohej edhe për pranimin e një veture prej 25 mijë eurosh, për të cilën prokuroria pretendonte se ishte përfituar përmes veprës penale.
Më 9 mars 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi, dhe tre të akuzuarve të tjerë.
Lavdim Krasniqi u dënua me 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë për mosraportim të pasurisë, ndërsa u lirua nga akuzat për ushtrim ndikimi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ardian Krasniqi u dënua me dënim unik prej 4 vitesh e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ai u lirua nga akuza për ushtrim ndikimi.
Marigona Berisha u dënua me 5 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumenteve, ndërsa Flora Doda u lirua nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në dënimet e shqiptuara u llogarit edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, ndërsa Ardian Krasniqit iu shqiptua edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë apo shërbime publike për dy vjet pas përfundimit të dënimit.
Ndaj këtij vendimi ishte ankuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Duke pretenduar shkelje të procedurës penale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, si dhe vendim të gabuar për dënimet, konfiskimin dhe kërkesat pasurore-juridike.
Më 7 nëntor 2023, Gjykata e Apelit e anuloi aktgjykimin dhe e ktheu rastin në rigjykim.
Në rigjykim, më 16 shkurt 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë liroi nga akuzat për korrupsion Lavdim Krasniqin dhe Flora Dodën, ndërsa Marigona Berisha u dënua me 3 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumentit. Procedura ndaj Ardian Krasniqit ishte veçuar.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e anuloi sërish këtë aktgjykim dhe për herë të dytë e ktheu rastin në rigjykim ndaj Lavdim Krasniqit, Flora Dodës dhe Marigona Berishës.
Në rigjykimin e dytë, më 25 prill 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë liroi ish-drejtorin e Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, dhe Flora Dodën nga akuzat për korrupsion.
Krasniqi u lirua nga akuzat për “Ushtrim të ndikimit”, “Keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “Mosraportim të pasurisë”, ndërsa Doda nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Marigona Berisha u lirua nga akuza për pranimin e sendeve të përfituara me vepër penale, por u dënua me 3 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumentit. Në këtë dënim iu llogarit edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.
Gjykata vlerësoi se nuk u provuan akuzat ndaj Krasniqit dhe Dodës, ndërsa palët u njoftuan për të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.
Më 13 janar 2026, Gjykata e Apelit anuloi pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj Lavdim Krasniqit, Flora Dodës dhe Marigonë Berishës, duke e kthyer rastin në rigjykim për akuzat për “Ushtrim ndikimi” dhe “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Ndërsa, pjesa tjetër e aktgjykimit u vërtetua.
Rasti kishte të bënte me aktgjykimin e 28 prillit 2025, me të cilin Krasniqi dhe Doda ishin liruar nga akuzat për korrupsion, ndërsa Berisha ishte dënuar me 3 mijë euro gjobë për falsifikim dokumenti.
Prokuroria kishte kërkuar anulimin e aktgjykimit dhe kthimin e rastit në rigjykim, duke kërkuar edhe ndryshimin e trupit gjykues. Të njëjtën gjë e kishte kërkuar edhe Prokuroria e Apelit.
Sipas Apelit, Themelorja nuk i kishte vlerësuar mjaftueshëm të gjitha provat dhe elementet e veprave penale për dy akuzat që u kthyen në rigjykim. Gjykata kërkoi që të rivlerësohen të gjitha provat, përfshirë nëse Krasniqi dhe të tjerët kanë pranuar para, dhurata apo përfitime dhe nëse kanë vepruar drejtpërdrejt ose tërthorazi për të ushtruar ndikim.
Ndërkaq, Apeli e la në fuqi lirimin e Krasniqit dhe Dodës për akuzat e tjera, si dhe dënimin e Berishës për falsifikim dokumenti, duke konstatuar se nënshkrimi në dokument nuk ishte i personit që pretendohej.
Më 21 korrik të këtij viti Ardian Krasniqi, ish shoferi i Lavdim Krasniqit ishte arrestuar në Itali dhe u ekstradua në Kosovë.
Ai ishte sjellë në Kosovë, pas disa vitesh në arrati, përmes Njësisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Zbatimin e Ligjit – ILECU mbrëmjen e asaj date.
Ndërsa seanca për caktimin e masës së paraburgimit për të, ishte mbajtur pas mesnatës.