20:42, 12 Shkurt 2019

Kërkesë tjetër për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe po i vjen Qeverisë së Kosovës edhe nga njeri ndër njerëzit më të besueshëm të kancelares gjermane Angela Merkel.

Është Eurodeputeti  dhe raportuesi për Serbinë, David McAllister, është ai që së fundi ka diskutuar gjendjen e krijuar pas refuzimit të Qeverisë Haradinaj për ta tërhequr taksën ndaj produkteve serbe dhe Bosnje Hercegovinës, njofton Klan Kosova.

”Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të aplikuar taksën 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është një shkelje e qartë e CEFTA-s dhe e marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit. Unë i bëj thirrje Qeverisë në Prishtinë që ta anulojnë këtë vendim në mënyrë që, shpresoj, që dialogu të vazhdojë”, ka thënë McAllister, njofton Klan Kosova.

Ai po ashtu ka thënë se tashmë BE-ja e ka bërë të qartë se nuk mund të ketë arritje të një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa largimin e taksës.

”Unë e kuptoj se të dyja palët kanë shqetësime, e kuptoj se nuk është e lehtë, por gjithashtu dua të theksoj se dy presidentët Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi e kanë ngritur dialogun në nivelin e ri”, ka thënë McAllister, i cili konsiderohet si njeri i besueshëm i Merkelit në Parlamentin Europian.

Sot krerëve të shtetit i është ardhur një letër nga Zëvendësasistenti i Sekretarit të Shtetit Amerikan, Matthew Palmer, Laura Cooper dhe John Erath, të cilët kanë treguar se taksa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake serbe, i ka prishur raportet me Amerikën, njofton Klan Kosova.