Lajmet e fundit

Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Pierre-Richard Prosper, ka komentuar në një intervistë për emisionin “Rubikon” përmendjen e disa ish-komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së në aktgjykimin e 16 shtatorit.
Në aktgjykim, Gjykata ka përmendur edhe emrat e Lahi Brahimajt, Fatmir Limajt, Sylejman Selimit, Rrustem Mustafës, Latif Gashit, Shukri Bujës dhe Sabit Gecit, ndonëse, këta persona nuk kanë qenë pjesë e procesit gjyqësor në fjalë dhe nuk kanë pasur mundësi të mbroheshin në atë proces, transmeton Klankosova.tv.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit Adriatik Kelmendi se si duhet kuptuar përmendja e këtyre emrave, Prosper e ka cilësuar atë si “krejtësisht të pajustifikueshme” dhe “të panevojshme”.
“Cili ishte qëllimi i etiketimit të njerëzve që as nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit dhe as nuk patën mundësinë më elementare për të mbrojtur integritetin dhe emrin e tyre?”, ka deklaruar Prosper.
I pyetur nëse kjo, sipas tij, mund të lidhet me një agjendë të caktuar, Prosper ka thënë se nuk e di se cila ka qenë shtysa, por ka përsëritur pretendimin e tij se vendimi ishte i paracaktuar.
“Është e qartë se këtu kishte një agjendë specifike, një agjendë që nuk ka të bëjë as me sundimin e ligjit dhe as me vendosjen e drejtësisë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se, sipas tij, “drejtësia u tradhtua në këtë proces”.
Prosper është pyetur gjithashtu nëse, bazuar në përmendjen e këtyre emrave, mund të priten aktakuza të reja nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ai ka thënë se kjo është një mundësi që nuk mund ta konfirmojë, por ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë përmendur këta persona në aktgjykim.
“Ky është nënteksti i drejtpërdrejtë. Nëse kjo do të ndodhë apo jo, nuk mund ta them”, ka thënë Prosper.
Sipas tij, përmendja publike e këtyre individëve në një vendim gjyqësor krijon një problem, pasi ata nuk kanë qenë palë në atë proces.
Prosper ka kritikuar veçanërisht formulimin për prezumimin e pafajësisë, duke argumentuar se, nëse këta persona gëzojnë këtë të drejtë, nuk do të duhej që në të njëjtin vendim të bëheshin cilësime që, sipas tij, mund të interpretohen si përcaktim i përgjegjësisë së tyre.