Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Shqiptari performon në koncert të AC/DC

NULL NULL
20.05.2015 19:35
Altini dhe bendi i tij i kanë përjetuar diçka që për rokerët e rinj të të gjithë botës është baraz me realizimin e një ëndrre: Paraqitjen në një koncert të përbashkët me grupin AC/DC.

Fjala është për performimin e bendit ambicioz nga Cyrihu “Pablo Infernal”, të drejtuar nga studenti 20 vjeçar, Altin Asllani, në programin hyrës të koncertit të madh Open-Air të AC/DC.

Koncerti është mbajtur në Spielberg të Austrisë, në Red Bull Ring (Formula 1) dhe është vizituar nga më shumë se 100 mijë adhurues të muzikës rok.

E kush nuk do ta dëshironte të shihte veten në një skenë të tillë? Lidhur me këtë përjetim unik dhe me preokupimet e tij muzikore, albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë me Altinin.

albinfo.ch: Altin, a mund të na tregosh se si ka ndodhur që ju me grupin të shkoni në Austri për t`u bërë pjesë e koncertit të AC/DC?

Altin Asllani: Në një takim me menaxhmentin tonë na është thënë se ne do të kemi mundësinë të marrim pjesë në koncertin e AC/DC-së. Ne, sigurisht, nuk do të lejonim assesi që një shans i tillë të na ikte. Veç tjerash edhe për faktin se ne të gjithë, pjesëtarët e bendit kemi adhurim të madh për muzikën e AC/DC.

albinfo.ch: A ka pasur edhe grupe tjera të reja në programin para koncertit kryesor?

Altin Asllani: Paraqitja jonë është bërë në skenën e njohur si “Red Bull Brandwagen” (kamion i improvizuar si skenë) ku kemi marrë pjesë në programin hyrës (promovues) para koncertit të madh, së bashku me gjashtë grupe tjera të rinjsh. Këto grupe ishin kryesisht nga Austria ndërsa ne ishim grupi i vetëm nga Zvicra.

albinfo.ch: Sa ka zgjatur pjesa e Pablo Infernal aty?, sa këngë i keni kënduar dhe a kanë qenë të gjitha këngë tuajat apo edhe të ndonjë grupi të njohur?

Altin Asllani: Ne kemi pasur në dispozicion 40 minuta

albinfo.ch: A kanë qenë të gjitha këngët që i keni kënduar tuajat apo edhe të ndonjë grupi të njohur?

Altin Asllani: Jo, minutat të cilat na janë dhënë në dispozicion i kemi  shfrytëzuar tërësisht vetëm për prezantim me këngët tona origjinale. Sepse ne dëshironim, më në fund të tregoheshim si “Pablo Infernal”, apo jo. Ndryshe, në raste tjera, ne në performimet tona inkuadrojmë edhe melodi të këngëve të famshme (të huaja).  Mirëpo, në një rast si ky, ne menduam që fokusin duhej ta vendosnim patjetër në krijimtarinë tonë origjinale.

albinfo.ch: Si po e ndieni veten si bend i ri që ju ka dhënë rasti të performoni para një publiku prej mbi 100 mijë vetash? A është ky një nderim i madh për ju?

Altin Asllani: Ne, natyrisht, ndjehemi të nderuar që patëm mundësi të performojmë, qoftë edhe në programin promovues para koncertit të një grupi kaq të madh siç është AC/DC. Ka qenë përfundimisht një hop i madh për ne prandaj ne ishim nën njëfarë tensioni para koncertit. Siç ndodh zakonisht, emocionet, nervoza, bien pas këngës së parë  dhe ne vetëm pas kësaj mundëm të hapeshim dhe kështu patëm shumë kënaqësi në skenë.

albinfo.ch: Cili është stili i rokut që e kultivoni ju dhe a ka ndonjë lidhje apo afërsi me atë të AC/ DC?

Altin Asllani: Është e vështirë të definosh diçka të tillë. Ti i derdh emocionet në një këngë dhe ajo bëhet e gjallë. Janë përjetësime momentesh të provave madhështore dhe të koncerteve, ku përpunohen, ngjizen idetë. Aty ndodh shumëçka dhe krijohen të shumtën e rasteve produkte me energji të përqendruar, të cilat pastaj i ngjallin sërish pikërisht momentet e këtilla. Muzika e Rock`n`Roll-it në këtë kontekst luan një rol të rëndësishëm te secili, për çka dhe është jashtëzakonisht e vështirë që si bend në shekullin 21 të mos e kesh në vesh ndonjë motiv nga AC/DC. Ne pra jemi një grup Rock`n`Rolli me prirje të fortë eksperimentimi, pavarësisht se për cilin zhanër bëhet fjalë.

albinfo.ch: Cilat janë planet e afërta të “Pablo Infernal”, a keni ndonjë album në plan ose ndonjë koncert ku do të merrni pjesë së shpejti?

Altin Asllani: Ne jemi në punë e sipër për realizimin e albumit, por na duhet edhe më tutje të merremi me anën organizative para se t`ia fillojmë me të vërtetë. Deri atëherë, ne, siç po e praktikojmë tashmë, do të japim mjaft koncerte. Më 12 qershor performojmë në “Baronessa” në Lenzburg, ku sigurisht ia vlen të vizitohemi! Po ashtu më 10 dhe 11 korrik kemi dy koncerte të njëpasnjëshme  ndërsa informacione më të hollësishme mund të gjeni në faqen tonë në facebook ku ne i postojmë vazhdimisht datat e paraqitjeve tona

Për herë të parë Altini është paraqitur para publikut si solist më 2008, kur ishte vetëm 13 vjeç. Një vit më vonë krijon grupin e tij „Underclassed“, i cili edhe pastaj ka marrë emrin „Pablo Infernal“.  Në vitin 2013 “Pablo Infernal” ka zënë vendin e parë si rok grupi më i mirë i vitit, në një konkurrencë prej rreth 50 grupeve, në Cyrih.

Marrë nga albinfo.ch.

altin asllani 1

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.