17:00, 19 Prill 2019 Autor: Adea Beqaj

Dy ditë i ndajnë maqedonasit nga zgjedhja e  presidentit të tyre.

Të dielën, qytetarët e Maqedonisë së Veriut do t’iu drejtohen kutive të votimit për të hedhur votat që do të determinojnë se kush do të jetë në krye të shtetit maqedonas për katër vjetët e ardhshme.

Garës presidenciale, krahas Gordana Siljanovska nga VMRO-DPMNE dhe Stevo Pendarovski nga LSDM, i është futur edhe Blerim Reka, i vetmi nga radhët e shqiptarëve. Por, faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut është i përçarë edhe sa i përket kandidatit për president.

Se vazhdimisht ka pasur ndasi tek shqiptarët në këtë shtet e pohoi edhe analisti Xhelal Neziri, në një intervistë për klankosova.tv

“Partitë shqiptare asnjëherë nuk kanë qenë të bashkuara rreth ndonjë projekti konkret, e aq më pak rreth një kandidati për president. Aq më tepër kur numrat e tregojnë se edhe po të ndodhte një bashkim i tillë nuk do të mund të arrihej që të shkohet në raundin e dytë”.

“Bashkimi i shqiptarëve bëhet vetëm në raste të manifestimit të një etno-nacionalizmi folklorik, i cili do të shërbente si mjegull për t’u pamundësuar shqiptarëve të shohin qartë realitetin politik”.

Blerim Reka nuk gëzon mbështetjen e të gjitha partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe suksesi i tij varet edhe nga votat e maqedonasve etnikë.

Analisti Xhelal Neziri thekson ndërvarshmërinë e bashkëpunimit midis partive të etnive të ndryshme me qëllim që të dalin me një kandidat fitues.

“Gjasat që Blerim Reka të kalojë në raundin e dytë janë minimale, mos them zero. Reka është një figurë e respektuar te shqiptarët, por jo shumë e njohur te maqedonasit etnikë. Ka shumë maqedonas që janë befasuar me paraqitjet dhe mendimet e tij dhe që thonë se do ta votojnë, por është rëndë të binden një pjesë e madhe e votuesve vetëm brenda një periudhe parazgjedhore prej 3 javësh”.

“Trupi votues shqiptar në Maqedoni llogaritet të jetë afër 500 mijë votues, por realisht në votime dalin vetëm gjysma e tyre nga shkaku i abstenimit ose emigrimit jashtë vendit. Pra edhe nëse i merr të gjitha votat aktive të shqiptarëve, që janë rreth 250 mijë, Reka do ta ketë të pamundur të shkojë në raundin e dytë pasi kandidatët maqedonas, Gordana Siljanovska e VMRO-DPMNE-së dhe Stevo Pendarovski i LSDM-së, pritet të marrin afërisht nga 350  mijë vota secili prej tyre”.

Sipas tij, si kandidatit shqiptar ashtu edhe atyre maqedonas u nevojiten votat e të dyja grupeve etnike për të dalë të suksesshëm.

“Zgjedhjet janë numra, kurse numrat janë të pamëshirshëm kundrejt dëshirave të një etnie apo partie të caktuar”.

Ardhjen e një shqiptari në krye të këtij shteti po e sheh si një mision pothuajse të pamundur edhe profesori universitar, Arbër Çeliku.

Megjithatë, sipas tij, kandidimi i Blerim Rekës i ndihmon procesit politik duke mobilizuar votuesit shqiptarë, njofton Klan Kosova.

“Maqedonia e Veriut, që nga mëvetësimi e deri më sot, ka pasur tronditje të mëdha, si në rrafshin e jashtëm ashtu edhe atë të brendshëm. Përfundimisht problemet me fqinjët, sidomos me Bullgarinë lidhur me çështjen e gjuhës dhe me Greqinë lidhur me çështjen e emrit dhe identitetit, sikur kanë marrë kahje pozitive, por edhe problemet e brendshme, margjinalizimi dhe përbuzja në vazhdimësi e etnive jomaqedonase, sidomos i shqiptarëve, po vihen në binarët e normalitetit, falë ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar dhe diskursit të ri qytetar, të cilin po e proklamon qeveria e re me në krye LSDM-në e Zoran Zaevit”.

“Duke i parë këto rrethana, por edhe faktin që, në të shkuarën, zgjedhja e një presidenti shqiptar ka qenë një mision i pamundur, le të hamendësosh për kandidimin e Rekës për postin e presidentit”.

“Me sa e njoh unë udhëpërshkrimin politik të Rekës, i cili në vazhdimësi e ka proklamuar Maqedoninë si një shtet shumëkombësh dhe qytetar, gjë që përkon edhe me diskursin e tanishëm të imponuar politik, pa mëdyshje mund ta pohoj se ai i ndihmon procesit politik për zgjedhjen e presidentit të vendit nga radhët e LSDM-së, pra të kandidatit Stevo Pendarovski”.

“Rreziku është i madh që, pa mobilizimin e votës shqiptare, të fitojë kandidatja e të djathtës ekstreme, VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska, sepse pjesa dërrmuese e popullatës maqedonase ende nuk është e gatshme për pranimin e realitetit të ri, pra për pranimin e konceptit qytetar”.

Çeliku për klankosova.tv theksoi se gara mes partive shqiptare realisht po bëhet për mobilizimin sa më të madh të votuesve shqiptarë, por jo për ta mbështetur Blerim Rekën.

“Në shikim të parë situata e krijuar të lë përshtypjen se ekziston përçarje midis pozitës dhe opozitës shqiptare, megjithatë, për mua, që të dyja kanë një synim të përbashkët: yshtjen e atyre votuesve shqiptarë të mbetur (sepse një numër i madh i shqiptarëve të Maqedonisë vitet e fundit e kanë braktisur vendin), që të dalin në votime dhe të zgjidhet kandidati i koalicionit qeverisës, z. Stevo Pendarovski”.

“Gara e vetme bëhet se cila do të sigurojë më shumë vota shqiptare, pozita apo opozita, kuptohet me synimin e vetëm të përfitimit politik në të ardhmen”.

Çeliku e Neziri pajtohen për rëndësinë e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre, shqiptarët kanë qenë dhe mbeten faktor vendimtar në proceset politike në këtë shtet, duke përfshirë formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Sipas profesorit Çeliku shqiptarët atje tani janë të orientuar kah LSDM-ja.

“Duke iu referuar të shkuarës së afërt, koncepti nacionalist-populist i VMRO-DPMNE-së rezultoi si i dëmshëm për shqiptarët, por edhe për vetë maqedonasit, duke i bllokuar proceset euro-integruese të vendit, prandaj shqiptarët sytë i kanë kah LSDM-ja e Zoran Zaevit dhe, supozoj se i preferuari i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut do të jetë z. Stevo Pendarovski”.

Ndërsa, analisti Neziri shprehet se nuk do të ketë ndryshime të mëdha për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, varësisht se a do të zgjedhet president Stevo Pendarovski, apo Gordana Siljanovska.

“Presidenti i Maqedonisë së Veriut është një post ceremonial, që përfaqëson shtetin e që nuk ka shumë kompetenca që të ndikojë në proceset politike brenda shtetit. Si i tillë, cilido që të zgjidhet, as nuk mund t’u ndihmojë e as t’i dëmtojë shqiptarët”.

“Nuk besoj se do të ketë edhe një president si Gjorgje Ivanov, i cili përdori kompetencat kushtetuese, bile i tejkaloi ato, vetëm e vetëm të pengojë disa procese si – tranzicioni paqësor i pushtetit në vitin 2017, mosnënshkrimi i Ligjit të gjuhëve shkaku i zyrtarizmit të shqipes në vitin 2018 apo mosnënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës me të cilën u zgjodh çështja e emrit me Greqinë”. /klankosova.tv/

Konkurs Pune

Lexo më shumë