Lajmet e fundit

Një 17-vjeçare është shpëtuar nga Policia Kufitare pasi kishte hyrë në ujërat e liqenit të Pogradecit, në një situatë që rrezikonte jetën e saj.
Ngjarja është raportuar pasi shërbimet e SPK Pogradec janë njoftuar se një shtetase e mitur kishte hyrë në liqen. Efektivët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë konstatuar 17-vjeçaren në ujë, transmeton klankosova.tv.
Sipas Policisë, efektivët i kanë kërkuar të afrohej pranë mjetit të Policisë Kufitare, por e mitura ka refuzuar. Në këto kushte, inspektori i Policisë M. D. është futur në ujë, ka marrë 17-vjeçaren në krahë dhe ka bërë të mundur nxjerrjen e saj në breg.
17-vjeçares, e cila kishte probleme të shëndetit mendor, iu dha ndihma e parë në vendngjarje dhe më pas iu dorëzua familjarëve. Sipas njoftimit zyrtar, ajo është në gjendje të mirë shëndetësore.
Qytetarët e pranishëm në breg, së bashku me familjarët e 17-vjeçares, kanë falënderuar efektivët për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar gjatë ndërhyrjes.