Lajmet e fundit

Një objekt i paidentifikuar shpërtheu të mërkurën herët në mëngjes në një stacion treni në qytetin jugor gjerman të Augsburgut, duke lënduar lehtë dy persona, njoftoi policia.
Shpërthimi ndodhi në një kalim të një ndërtese pranë stacionit kryesor të qytetit. Dy personat pësuan trauma akustike, ndërsa nga fuqia e shpërthimit u dëmtuan edhe disa xhama, shkruan Deutsche Welle, transmeton klankosova.tv.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e incidentit. Për momentin nuk dihet se çfarë ishte objekti që shpërtheu.
Një pjesë e stacionit është rrethuar, ndërsa në vendngjarje kanë dalë edhe ekspertë të Zyrës Shtetërore të Policisë Kriminale (LKA), së bashku me një robot për çaktivizimin e eksplozivëve. Edhe qarkullimi rrugor dhe transporti publik në zonën përreth janë penguar.
Policia kishte marrë njoftimin për incidentin në orët e para të mëngjesit. Augsburgu është një nyje e rëndësishme rajonale e transportit, rreth 55 kilometra në perëndim të Mynihut.