Shpërthen Blushi: Kuvendi si paraburgim, plot kriminelë - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Shpërthen Blushi: Kuvendi si paraburgim, plot kriminelë

NULL NULL
12/11/2015

Deputeti socialist, Ben Blushi shpërtheu në Kuvend në një fjalim për nevojën e reformës në drejtësi.

“Unë isha në Bruksel para dy ditësh dhe dua të them dy fjalë. Ajo që kuptova është se Europa do të na integrojë, por ne nuk duam. Progres-raporti ishte shkruar më mirë se ç’do e shkruante çdo shqiptar. Europa ka vendosur të na integrojë kështu siç jemi, pa e humbur durimin e saj,” tha Blushi.

Ai shtoi se në Shqipëri gjendet e vetmja klasë politike, të cilës po i ikin zgjedhësit.

“Ky vend po pakësohet duke u bërë i paqeverisshëm,” tha Blushi.

Sipas tij, reforma në drejtësi është e domosdoshme.

“Europa po bën çdo përpjekje për të na integruar dhe ne po bëjmë çdo përpjekje për t’u larguar nga Europa”.

“Për fajin tonë, integrimi vetëm është shtyrë. Disa vite më parë ishim ne që shpikëm atë rastin e famshëm të Fierit. Ky është një pingpong absurd se kush e shtyn më shumë integrimin”.

Duke folur për reformën në drejtësi, Blushi tha: “Deri diku ka të drejtë opozita, që ky parlament nuk mund të miatojë reformën në drejtësi, pa kryer dekriminalizimin e vet më parë. Unë besoj se kriminelët nuk kanë të drejtë të zgjedhin gjykatësit apo prokurorët e tyre”.

“Ka kaq shumë njerëz me të shkuar kriminale këtu, sa më duket vetja sikur jam në kushtet e paraburgimit. Kjo nuk është për të qeshur, por është një turp. Ky do hyjë në analet e historisë si parlamenti më qesharak dhe i turpshëm në histori”.

“Populli shqiptar i ka votuar të dy palët, sepse nuk ka pasur një ofertë më të mirë, si të tillë ata janë legjitimë. Pyetja ime është kjo: a do ishte ky parlament i tillë nëse do kishte drejtësi të pavarur? Unë them se jo. Vetëm drejtësia e pavarur është mënyra për të penguar ndotjen e parlamentit. Prandaj reforma në drejtësi është një reformë politike”.

“Nëse drejtësia funksionon, një pjesë e madhe e anëtarëve të parlamentit nuk do shkelnin dot këtu. Nëse ka diçka që nuk i ikim dot, kjo është reforma në drejtësi, të cilës nuk i ikim dot”.

“Unë besoj se vetëm drejtësia mund të përmirësojë politikën”.

“Ka një debat se kush meriton të shkojë në burg: sot shkon në burg si shofer që shkel semaforin, shkon si student që proteston, si konsumator, si sipërmarrës se nuk ke paguar taksat, edhe si gazetar, por pyetja është: po si politikan a shkon në burg? Deri tani nuk ka ndodhur. Kjo nuk është pyetja ime, por është pyetja e njerëzve jashtë kësaj salle”.

“Pyetja mbetet: pse zgjedhësi shkon në burg dhe të zgjedhurit e tyre nuk shkojnë në burg. Kjo sepse nuk kemi bërë një ligj apo reformë që na ndëshkon ne. Ne gjithmonë përdorim procedurën për të shmangur ndëshkimin. A kanë të drejtë zgjedhësit të na pyesin, përse të shkojmë ne në burg dhe ju të mos shkoni në burg asnjëherë? Është koha për t’i dhënë përgjigje serioze kësaj pyetje”./Mapo.al/