11:58, 22 Maj 2019

Organizatat e Shoqërisë Civile kanë ngritur shqetësime lidhur me mosreagimin institucional, pas përmendjes së emrit të kryeparlamentarit Kadri Veselit, në një video të publikuar ditë me parë ne media, ku shfaqen disa persona të akuzuar për fajde.

Përmes një reagimi këto organizata kanë kërkuar që të qartësohet para qytetarëve arsyeja dhe konteksti i përmendjes së Kryetarit të Kuvendit në atë ambient.

“Transparenca dhe llogaridhënia para qytetarëve janë tipare të domosdoshme për demokraci të zhvilluara. Organizatat e shoqërisë civile janë të angazhuara që standarde të këtilla të instalohen dhe aplikohen edhe në Kosovë. Në mënyrë që demokracia kosovare, edhe ashtu e dëmtuar nga keqmenaxhimi disavjeçar i institucioneve publike të mos degradohet tutje, nuk duhet lejuar që heshtja institucionale karshi fenomeneve të tilla të shndërrohet në praktikë dhe normalitet”.

Tutje në reagim thuhet se duke kaluar në heshtje, përmendja e krerëve institucionalë në rrethana të këtilla shkon në të kundërt të luftës kundër krimit të organizuar, që është deklaruar si prioritet i Qeverisë së Kosovës.

“Bazuar në këto parime dhe arsye, organizatat e shoqërisë civile i bëjnë thirrje krerëve të institucioneve, në këtë rast Kreut të Kuvendit, që në pajtim me përgjegjësinë që mbart mbajtja e postit publik, të japë llogari dhe të qartësojë para qytetarëve një përfshirje të tillë”.

Ky reagim përkrahet nga:Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), FOL, Community Development Fund (CDF), YIHR KS, TOKA, Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK), Qendra për Politika dhe Avokim (QPA), KONSUMATORI, Women’s Business Association (SHE-ERA), ROMA IN ACTION, Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale (IZHPS), Unioni i Punëtoreve Social të Kosovës, Global Shapers Community Kosova, Ndërto të Ardhmen, VISION 02, SWOK –Kosovo, Programi për të Drejtat Civile në Kosove (CRP/K), Rrjeti i Radiove për të Drejtat e Njeriut – RDN, Youth Center, Shoqata e Intelektualëve të Pavarur, ZANA, Bliri dhe Gruaja Hyjnore.

 

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë