Shoqëria civile i bën thirrje presidentes për ta zgjidhur krizën - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Shoqëria civile i bën thirrje presidentes për ta zgjidhur krizën

NULL NULL
17/10/2015

Organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në Kosovë përmes një deklarate të përbashkët kanë shprehur shqetësimin e gjendjes politike e cila e ka kapluar vendin, duke thënë se dënojnë dhunën e cila ka tensionuar e rënduar gjendjen në institucionet e vendit.

Sipas tyre dhuna është një mjet i papranueshëm politik në sistemet demokratike.

Këto organizata të bashkuara, po ashtu kanë shtuar se ftesa për të zhvilluar seancat plenare pa pasur ndryshime në qëndrimet politike të asnjërës palë as opozitës e as pozitës, nuk është zgjidhje e cila shërben për të dalë nga kriza e krijuar, duke kërkuar përfshirjen e presidentes Atifete Jahjaga në përmirësimin e gjendjes dhe garantimin e respektimit të kushtetutës e funksionimit të institucioneve normalisht.

Kjo është letra e plotë e shkruar nga organizatat e shoqërisë civile në Kosovë:

Ne organizatat e shoqërisë civile, përmes kësaj deklarate reagojmë me shqetësim rreth gjendjes politike të krijuar në vend.

Aktet e dhunës dhe gjuha nxitëse e shfaqur kohët e fundit kanë tensionuar situatën politike dhe paraqesin rrezik për përshkallëzim të mëtutjeshëm.

Në këtë kontekst, ne organizatat e shoqërisë civile, dënojmë fuqishëm të gjitha aktet e dhunës të përdorur nga cilado palë e përfshirë në proces. Dhuna si mjet i veprimit politik është e papranueshme në sistemet me vlera demokratike. 

Ne vlerësojmë se mungesa e transparencës dhe gjithpërfshirjes në procese të rëndësishme për vendin, nuk duhet të jenë model i qeverisjes dhe vendimmarrjes institucionale në Kosovë.

Me qëllim që t’i jepet epilog gjendjes së krijuar, ne kërkojmë prej subjekteve politike si hisedarë në këtë proces, që të lëvizin nga pozicionet e tyre ekzistuese, të cilat përveçse nuk prodhojnë zgjidhje ato po përshkallëzojnë tensionin politik dhe e vënë në pikëpyetje perspektivën e vendit. Gjuha e dialogut politik është forma e vetme e zgjidhjes së problemeve politike.

Thirrja e seancave plenare pa ndryshim të qëndrimeve dhe rrethanave politike, nuk i shërben daljes nga situata e krijuar politike. 

Po ashtu, ne kërkojmë që në këtë proces të përfshihet edhe presidentja e vendit si garante e funksionimit kushtetues të institucioneve.