Shkullaku: Janë zgjedhjet e para ku Vetëvendosje do të gjykohet me votë edhe për mënyrën e qeverisjes

Shkullaku: Janë zgjedhjet e para ku Vetëvendosje do të gjykohet me votë edhe për mënyrën e qeverisjes

NULL NULL
2 months më parë

Opinionistri Armand Shkullaku ka thënë që fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit ka qenë kryesisht e qetë.

“Do të veçoja disa tipare, duke filluar nga një tipar negativ të kësaj fushate. Mendoj që ka qenë një fushate e kontrolluar nga partitë politike dhe nga kandidatët. Ndryshe nga përvojat tjera në zgjedhje që kam ndjekur në Kosovë, ku gazetarët dhe mediat kanë qenë të lirë për të ndjekur kryetarët e partive dhe kandidatë të ndryshëm, këtë radhë takimet kanë qenë më diskrete dhe kryetarët e partive dhe kandidatët kanë qenë më të kujdesshëm dhe janë ruajtur nga mediat”.

“Ka sinjalizime që edhe shpeshherë kanë tentuar që të transmetojnë edhe kronika të gatshme. Ky është virusi që ndodh edhe në Shqipëri ku prej disa vitesh gazetarët më nuk prodhojnë lajme nga fushata dhe gjithçka vjen e gatshme. Gazetarët janë mbajtur larg nga tubimet dhe mendoj që kjo ka qenë diçka jo e mirë”, tha ai.

Shkullaku në Rubikon në Klan Kosova, ka thënë që kjo fushatë kryesisht është shënjuar nga dy elemente që sipas tij janë pandemia dhe ngjarjet në veri.

“Pandemia dhe ngjarjet në veri të cilat kanë ndikuar fuqishëm edhe tek fushata e partisë në pushtet – Vetëvendosjes, e cila rrezikoi në këtë fushatë që  të menaxhojë këto dy probleme. Mendoj që risku ia ka vlejtur edhe për VV-në sidomos ndërhyrja në veri mendoj që ka ndikuar edhe menaxhimi i saj ka ndikuar pozitivisht. Pavarësisht fuqisë së Serbisë – Kosova ka treguar që është e gatshme që të vendosë rendin dhe ligjin në të gjithë territorin dhe kjo ka pasë efekt pozitiv”.

“Edhe pandemia me disa ngjarje jo të mira në fillim siç ishte numri i lartë i vaksinave të skaduara dhe në terma të përgjithshëm qytetarët mund të ndihen më mirë dhe të sigurt, pas valës së parë që ishte goxha problematike. VV-ja ka arritur që të garantojë një impakt pozitiv tek votuesit”.

Ai tha gjithashtu se këto janë zgjedhjet e para ku Vetëvendosje do të gjykohet me votë edhe për mënyrën e qeverisjes.

“Kjo është specifike që nuk mund të ndërtohet më mbi partitë e vjetra dhe mbi sistemin e vjetër dhe kjo është një fushatë që gjykohet edhe mënyra e qeverisjes së VV-së’.

Tutje Shkullaku tha që i ka bërë përshtypje qëndrimi i opozitës gjatë kësaj fushate, të cilët sipas tij nuk kanë qenë shumë aktivë.

“Si PDK-ja dhe LDK-ja të dyja partitë, kanë qenë pasive pasi ndoshta kanë pritur dështim të VV-së qoftë me veriun, qoftë me pandeminë. S’kanë qenë shumë kritike ndaj qeverisë pasi mund të kishin ngritur shumë më tepër probleme dhe çështje që shqetësojnë njerëzit”.

“Kanë qenë pasivë edhe liderët e këtyre dy partive. Shpresoja që shumë duke qenë dy liderë të rinj Abdixhiku i LDK-së dhe Krasniqi i PDK-së, do të kishin një shkëlqim në fushatë dhe do të ishin prezentë kudo si në tubime dhe do të ngjallnin entuziazëm tek elektorati i tyre. Përkundrazi, kam vënë re një lloj distancimi të tyre, sidomos në Prishtinë”, u shpreh ai.