Shkon në Supreme, vendimi për burgim të përjetshëm ndaj vrasësit të Gjyljeta Ukellës NULL NULL 10.06.2026 12:40 10.06.2026 12:40 Edmond Lajçi, i dënuar për vrasjen e gruas së tij Gjyljeta Ukella, e ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Apelit për konfirmim të dënimit me burgim të përjetshëm, duke bërë që rasti të kalojë në Gjykatën Supreme. Gazetarja e Klan Kosovës, Blerta Ahmeti, ka mësuar se, përmes ankesës, rasti po trajtohet në Gjykatën Supreme dhe më 18 qershor nga ora 10.00, do të mbahet seanca kryesore për këtë rast. Avokati mbrojtës i Lajçit, Feim Alaj ka ushtruar ankesë, me arsyetimin se vendimi për burgimi i përjetshëm për të nuk është i drejtë, pasi që ai e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet nga prokuroria, pra vrasjen e gruas së tij. Ndërkohë avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, e cila në këtë rast po e mbron palën e dëmtuar, ka bërë përgjigje në ankesë duke kërkuar të vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë. Ndryshe, më 16 prill të vitit 2024, rreth orës 8:00 të mëngjesit, në banesën e tij në Pejë, Lajçi, e ka privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij, viktimën Gjyljeta Ukella, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i pandehuri kishte pasur me viktimën, duke i ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike me herët. Kurse, ditën kritike, Lajçi kishte shtënë një herë me armë zjarri në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës dhe si pasojë e kësaj të shtëne është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës. Atë ditë, ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe ishte paraqitur në Stacionin Policor të Pejës, ku vetë kishte njoftuar se ‘e vrava gruan’. /Klankosova.tv