17:52, 24 Maj 2020

Besimtarët muslimanë të Shkodrës u rikthyen sot në xhamitë e tyre pas një periudhe mëse dy mujore të mbylljes së tyre për shkak të pandemisë së koronavirusit. Që në orët e para të mëngjesit, besmtaret mbushën xhamitë duke falur Namazin e Fitër Bajramit, kësaj feste të shenjtë për besimin islam.

Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari, tha gjatë faljes së Namazit se, megjithë kufizimet që diktuan masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, besimtarët kryen pa asnjë mangësi detyrimet ndaj muajit të shenjtë të Ramazanit.

“Të dashurit e mij, të festojmë sot me mirësitë e Allahut të Madhëruar dhe të gëzojmë për mundësinë e madhe që na u dha për të agjëru muajin e madhërueshëm të Ramazanit. E agjëruat atë pa asnjë mangësi. Dhe të lutemi që, ajo që kaloi, të mos mbetet thjeshtë diçka që ka efekt të një adhurimi formal. T’i lutemi Allahut të na mëshirojë e të na udhëzojë drejt ma të mirës”.

Në fjalën e tij, imam Sytari u bëri thirrje të rinjve shqiptarë që të ndjekin traditën e të parëve të tyre, duke vlerësuar dhe respektuar besimin, familjen dhe vendin.

“I lutem Allahut për të rinjtë ne mesin tonë, për brezin e ri të muslimanëve shqiptarë që të rriten me moralin dhe pjekurinë e mendjes dhe të shpirtit për të mos qenë besimtarë sipërfaqsorë, por për t’u thelluar në leximin e fesë dhe leximin e thirrjes së Allahut, i cili na thotë që të jemi aktiv në jetë dhe jo të jemi të bunkerizuar dhe të izoluar në realitete të errëta”.

Muslimanët shqiptarë, tha Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, janë krenarë për veprat e tyre, përtej kjo çdo thirrje, propagande apo përpjekje për të përbaltur, qoftë edhe sado pak, besimin dhe veprën e tyre në shërbim të fesë, familjes dhe kombit./voa/

Konkurs Pune

Lexo më shumë