Lajmet e fundit

Mijëra qytetarë janë mbledhur edhe sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në natën e shtatë me radhë të protestës kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nën jehonën e thirrjeve të njëzëshme “UÇK” dhe “Jo në emrin tim”, sheshi kryesor i kryeqytetit u mbush me qytetarë dhe simbole kombëtare, duke dëshmuar vazhdimësinë e kësaj lëvizjeje qytetare.
Ndonëse koha nuk ishte e favorshme dhe pak para tubimit ra shi, kjo nuk i zmbrapsi qytetarët.
Gazetarja e Klan Kosova, Vesa Hoda, raportoi nga vendi i ngjarjes se sheshi filloi të mbushej me shpejtësi para nisjes zyrtare të protestës.
Organizatori i protestave, Çlirim Haziri, i biri i dëshmorit Xhavit Haziri, iu drejtua masës duke theksuar se këto shtatë ditë janë vetëm fillimi dhe se qëndresa do të vazhdojë.
Haziri theksoi se prania e qytetarëve është përgjigjja më e mirë për ata që menduan se revolta do të zbehej shpejt, teksa e ndërlidhi këtë moment me përvjetorin e rënies së heronjve Fehmi e Xhevë Lladrovci.
Në natën e shtatë të protestës, para të pranishmëve foli edhe Gentian Selimi, nipi i ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi.
Gentiani, i cili është nxënës në gjimnazin “Ahmet Gashi”, iu bashkua mesazheve të sheshit duke i thënë hapur Speciales, “Jo në emrin tim”.
Një prej momenteve më kulmore dhe emocionuese të mbrëmjes ishte fjalimi dhe prania e tenorit me famë botërore, njëherësh veteran i UÇK-së, Ramë Lahaj.
Ai bëri thirrje për unitet dhe për ruajtjen e patjetërsueshme të vlerave të lirisë e të luftës çlirimtare. Lahaj, së bashku me mijëra protestuesit, këndoi këngën e mirënjohur “Rrjedh në këngë e ligjërime”, si dhe recitoi "Betimin e Ushtarit të UÇK-së".
Mes këngëve patriotike si “Besa-besë” dhe valvitjes së pandërprerë të flamujve kombëtarë dhe atyre të UÇK-së, nata e shtatë e protestës në kryeqytet tashmë është përmbyllur e qetë, me paralajmërimin se qëndresa qytetare do të vijojë ditët në vijim.