Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Shitën 832 kilogramë kokainë, Encrochat shkatërron organizatën kriminale shqiptare

NULL NULL
10.07.2025 11:59
Policia e Londrës

Një grup i organizuar kriminal që merrej me shpërndarjen e kokainës në Londër dhe në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar është dënuar me mbi 65 vjet burg pas një hetimi të gjatë dhe të detajuar nga Policia Metropolitane e Londrës në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA).

Në qendër të këtij grupi ishte Redon Bushi, 32 vjeç, nga Cherry Crescent, Brentford, i cili për vite me radhë raportohet se udhëhoqi rrjetin e trafikut të drogës, duke bashkëpunuar me importues dhe korrierë të shumtë, shkruan Top Channel, transmeton Klankosova.tv.

Sipas policisë Metropolitane të Londrës të cilës i referohet Top Channel, ai pranoi fajësinë në Gjykatën e Lartë në Kingston-upon-Thames më 10 korrik 2024 për: dy akuza për komplot për furnizim me lëndë narkotike të klasit A, komplot për transferim të pasurisë kriminale, posedim të pasurisë kriminale.

Më 9 korrik 2025, ai u dënua me gjithsej 24 vite e 10 muaj burg.

Trafiku i zbuluar përmes EncroChat dhe Signal

Përdorimi i aplikacioneve të koduara si EncroChat dhe Signal zbuloi se Bushi kishte komplotuar për të shpërndarë të paktën 832 kilogramë kokainë me vlerë deri në 81.6 milionë paund.

Pas identifikimit të tij në EncroChat me pseudonimin “Sealvermouth”, hetuesit e Met-it dhe NCA-së nisën një operacion të targetuar për të çmontuar rrjetin.

Hetimi dhe arrestimet

Policia përdori teknika të avancuara hetimore, duke shqyrtuar pajisje elektronike, biseda të koduara, orë të tëra pamje nga kamerat e sigurisë, dhe përdori metoda të fshehta për të ndjekur aktivitetin kriminal.

Në qershor 2020, një nga korrierët e Bushit, Ahmad Jabarkhill, u ndalua dhe iu gjetën gati 700,000 paund kesh.

Më tej, hetuesit identifikuan tre korrierë të tjerë: Arline Sida, Luke Ferguson, Kelvin Hoxha.

Në gusht 2023, Sida dhe Hoxha u arrestuan në Brentford, duke pasur në posedim 6 kilogramë kokainë. Më pas, Ferguson u arrestua në një “shtëpi të sigurt” në Brentford, ku iu gjetën 72 kg kokainë, me vlerë të përllogaritur në 6.24 milionë paund.

Pas arrestimeve të pjesëtarëve të rrjetit, u nis një kërkim intensiv për Bushin, i cili qëndroi në disa hotele për t’iu shmangur policisë, duke përdorur telefona të rinj dhe mbi 3,000 paund në para.

Ai u arrestua disa ditë më vonë në Reading.

Ahmad Jabarkhill, 32 vjeç, u dënua më 22 korrik 2020 me 2 vite e 3 muaj burg për posedim pasurie kriminale.

Arline Sida, 23 vjeç, nga Amersham, u dënua më 9 korrik 2025 me 12 vite e 9 muaj burg.

Kelvin Hoxha, 23 vjeç, nga Brentford, u dënua më 9 korrik 2025 me 11 vite e 8 muaj burg.

Luke Ferguson, 32 vjeç, nga Shepherd’s Bush, u dënua më 9 korrik 2025 me 14 vite e 5 muaj burg.

Hetuesi David Leitner deklaroi: “Ky rast dëshmon vendosmërinë tonë për të luftuar krimin e organizuar, duke shfrytëzuar mundësitë unike që ofroi zbulimi i EncroChat.

Bushi besonte se këto platforma e mbronin nga ligji, por në fakt ato na ofruan provat kyçe për ta dënuar atë dhe bashkëpunëtorët e tij. Policia Metropolitane mbetet e përkushtuar për të luftuar shpërndarësit e drogës që ndikojnë negativisht në komunitetet tona.”

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.