Lajmet e fundit
Dikur në qendrën tregtare te Posta e Re në Prishtinë kishte jetë dhe gjallëri. Por sot, brenda atyre mureve nuk ka mbetur asgjë.
Dyshek të hedhur përtokë, kolltuk me njolla gjaku, shiringa në qoshe e korridore, hapësira të stërmbushura me mbeturina e lokale të braktisura.
Këto janë pamjet e vetme që syri sheh posa fut këmbën brenda kësaj qendre afariste tregtare.
Ndonëse të gjitha lokalet tjera janë të mbyllura, një prej tyre është shndërruar në deponi mbeturinash.
E një lokal tjetër, si duket është shndërruar në strehë të narkomanëve.
Shqetësimi kryesor mbetet fakti që përreth këtij objekti ka komplekse banesore dhe është në qendër të kryeqytetit, andaj edhe qytetarët kanë qasje në të përditë.
Sipas pronarit të një prej lokaleve për Kiks Kosovën, problemi kryesor qëndron se objekti u dëmtua nga lagështia dhe izolimi i keq që iu bë.
Sipas Avni Hajdinit, në këtë hapësirë kishte intervenuar Komuna e Prishtinës duke kontraktuar dy herë kompani për të investuar në izolimin e objektit, mirëpo sipas tij, objekti u dëmtua edhe më shumë pas investimit.
Mirëpo, nën mbikëqyrje të kujt është kjo hapësirë?
Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit konfirmuan për Kiks Kosovën që ky vend nuk është në menaxhim të ndërmarrjeve shoqërore.
Kësisoj, Kiks Kosova iu drejtua Komunës së Prishtinës me disa pyetje rreth kësaj hapësire.
Megjithatë, deri në transmetimin e kësaj kronike, redaksia nuk pranoi asnjë përgjigje nga komuna.