Lajmet e fundit

Një qëllim i përbashkët po i mbledh bashkë çdo ditë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ata që e duan dhe e besojnë, siç thojnë, luftën e pastër të UÇK-së.
Që nga e mërkura, 16 shtator 2026, kur u shpall aktgjykimi i shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, qytetarë të shumtë kanë dalë në protesta, duke kundërshtuar vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Dënimet prej 25 vjet për Hashim Thaçin, 25 vjet për Jakup Krasniqin, 18 vjet për Kadri Veselin dhe 13 vjet për Rexhep Selimin, nuk po pranohen nga familjarët, bashkëluftëtarët, të afërmit dhe mbështetësit e tyre, raporton Klankosova.tv.
Me një zë dhe një qëllim, protestuesit po kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, përmes një rruge ligjore dhe demokratike - protestave.
E njëjta skenë u përsërit edhe të premten, kur Prishtina u bë dy herë qendër e protestave.
Në mesditë, një numër i madh qytetarësh protestuan në sheshin “Skënderbeu”, në protestën e thirrur nga OVL-UÇK.
Mesazhi i tyre ishte i qartë: Lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe dënimi ndaj ish-krerëve të saj është i padrejtë.
Por protesta nuk përfundoi aty. Të premten në mbrëmje, protestuesit u mblodhën sërish, kësaj radhe në një protestë të organizuar nga iniciatorë të tjerë, por me të njëjtin qëllim - kundërshtimin e aktgjykimit dhe kërkesën për drejtësi.
Simbol i këtyre protestave, tash e disa ditë, janë bërë edhe familjarët e ish-krerëve të UÇK-së. Djali i Hashim Thaçit, bijtë e Kadri Veselit e Jakup Krasniqit janë parë në mesin e protestuesve, duke kërkuar drejtësi për baballarët e tyre dhe duke kundërshtuar procesin gjyqësor në Hagë.
Protestat në Prishtinë nuk kanë kaluar pa u vërejtur as nga mediat ndërkombëtare.
Për to raportoi edhe agjencia e madhe ndërkombëtare e lajmeve Reuters, krahas mediave të tjera botërore.
Se çfarë efekti do të kenë këto protesta dhe nëse do të ndikojnë në zhvillimet e mëtejshme, mbetet të shihet. Megjithatë, populli po e thotë fjalën e tij në mënyrën më demokratike, përmes protestave dhe tubimeve qytetare, e jo vetëm në Kosovë, pasi protesta janë paralajmëruar edhe në shumë vende të diasporës. /Klankosova.tv
