10:00, 25 Maj 2019

Krimet serbe të bëra mbi popullin shqiptar gjatë luftës së fundit në Kosovë, duhet të zbardhen nga institucionet vendëse.

Kështu thotë shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi në një intervistë dhënë për EkonomiaOnline, i cili shton se Kosova ka mjaftë fakte dhe argumente për të zbardhur krimet serbe në Kosovë.

Ai thotë se ideja për Tribunalin Ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë duhet mbështetur, por nuk duhet pritur deri sa të themelohet.

“Ideja është që të mbështetet një iniciativë për gjykimin e krimeve të nisemi nga emëruesi i përbashkët që atë gjithsesi duhet të dënohen dhe nuancat ku dallojmë kemi hapësirë për t’u ulur dhe për të diskutuar. Përderisa partitë opozitare thonë se nuk duan fare, ne nuk mund të themi se nuk duam fare Tribunal, por themi që nuk mund të jetë zëvendësim për gjykimet që do i bëjmë në parlament. Serbinë mund ta vëmë nën presion që të lëvizë së pari në pranimin e këtyre krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe të detyrohet ose t’i dorëzojë ata ose të bashkëpunojë me gjykatat e Kosovës për t’i dënuar të gjithë ata që kanë bërë krime. Ka prova të mjaftueshme për shumë masakra të kryera në Kosovë që të gjithë ata që kanë pas përgjegjësi së paku komanduese, ka prova të mjaftueshme”, thotë ai..

Sherifi ka ftuar partitë opozitare që të përkrahin rezolutën e cila i hap rrugë themelimit të Tribunalit.

“Padyshim që ka një vrap pas iniciativave, por s’ka vend për merita, krejt çka duhet të bëjmë është ti përmirësojmë gabimet që i kemi bërë këto 20 vite e sidomos këto 10 viteve të fundit, duhet që kokulur t’i ngrehim këto iniciativa, nuk kemi arsye për ta ngritë kokën aq lartë. Kur iniciativat nuk kanë për qëllim protagonizmin më shumë se sa idenë, ato zakonisht edhe ecin më lehtë përpara. Nuk do duhej që kjo iniciativë të bllokohej vetëm pse ka filluar në këtë mënyrë. Nëse ne udhëhiqemi nga emëruesi i përbashkët jam i sigurt që do gjejmë një mënyrë të duhur për ti zgjidhur këto pa e pas në rend të parë veten por Kosovën e mbi të gjitha të drejtën që për çdo viktimë të vihet drejtësia në vend”, thotë Sherifi.

Shefi i deputetëve të Nismas Socialdemokrate, ka komentuar edhe mocionin e mundshëm ndaj Qeverisë të paralajmëruar nga LDK-ja dhe Vetëvendosja.

“Mocionet duhet të merren parasysh vetëm kur ka numra, ne nuk kemi qëndrim për të mbështetur mocionin, qëllimi është i qartë që mocioni nuk mbështetet, por do marrim pjesë në debatin që mund të zhvillohet në rast se ngritët një mocion ndaj Qeverisë. Aktualisht qëndrimi i Nismës është që duhet të vazhdojmë me qeverisje”, thotë ai.

Ai thotë se janë të gatshëm për zgjedhje të reja, ngase vlerëson se Nisma është në rritje dhe se synojnë 10 deputetë në legjislaturën e ardhshme.

“Ne tani më kemi shpallur fazën e re të Nismës që do thotë kurdo që bëhen zgjedhjet ne presim edhe mbi 10 deputetë. Aktualisht brenda strukturave të Nismës, opsioni i shkuarjes vetë në zgjedhje ka më shumë mbështetje, gjasat maksimale janë që nëse shkohet në zgjedhje, të shkojmë vetë, por ende nuk është vendim definitiv, por atmosfera brenda partisë është që të shkojmë vetë në zgjedhje”, shton tutje Sherifi..

“Mendoj që koha e vijave të kuqe ka kaluar, vijat e kuqe të dikurshme të Vetëvendosjes me LDK-në, u shndërruan në vija të gjelbra, mendoj që është mirë që ka ra politika në tokë, nuk mund të vihen vija të kuqe në raport me asnjë parti politike por vija të kuqe në raport me pika të caktuara programore. Nëse nuk mund të pajtohem me një çështje programore atëherë ne nuk hyjmë as në koalicion e as në qeveri, raporton EO.

I pyetur për punësimet në baza partiake për të cilat po akuzohet partia nga ai vjen, Sherifi arsyetohet duke thënë se ligji aktual po e mundëson një gjë të tillë.

Sipas tij nuk ka punësime, por “vetëm kontrata mbi vepër me afat 6 deri 12 muaj për ofrimin e shërbimeve të veçanta”.

“Në Kosovë ka punësime jo partiake, por punësimet të cilët të punësuarit janë anëtarë të partive politike, më shumë ka angazhime që sipas ligjit e rregullon me kontratë mbi vepër. Të gjitha këto janë të përkohshme janë nga 6 muaj deri në 12 muaj që japin një shërbim të caktuar dhe kjo bëhet në bazë të një ligji të caktuar”.

Kjo praktike sipas tij, është ndjekur edhe nga qeveritë e kaluara dhe se janë të gatshëm të ndryshojnë këtë ligj.

Konkurs Pune

Lexo më shumë