Lajmet e fundit

Një koleksion shënimesh të udhëheqësit të ndjerë të lëvizjes indiane paqësore për pavarësi, Mahatma Gandhi, u shit dje për 1.7 milion dollarë në një ankand në Mumbai, njoftoi agjencia gjermane dpa. Asnjë dokument historik indian nuk ka arritur ndonjëherë një çmim të tillë në ankand, njoftoi shtëpia e ankandeve Saffronart.
Gandhi, i lindur në vitin 1869, udhëhoqi me sukses lëvizjen paqësore për pavarësinë e Indisë nga sundimi kolonial britanik. Shtëpia e ankandeve tha se shënimet vijnë nga koleksioni familjar i Anand T. Hingorani, një bashkëpunëtor i ngushtë i Gandit. Koleksioni përbëhet nga "shënime mbi arsyetimin moral dhe udhëzimet personale" që Gandhi shkroi për Hingoranin gjatë një periudhe prej gati dy vitesh.
"Këto reflektime ofrojnë një pasqyrë të rrallë se si Gandi i jetoi parimet që ai përqafoi publikisht, duke e bërë këtë një dokument veçanërisht të vlefshëm të mendimeve dhe veprimeve të tij", tha bashkëthemeluesi i Saffronart, Dinesh Vazirani.
Hingorani u takua për herë të parë me Gandin në vitin 1930. Ai mori pjesë në të ashtuquajturin Marshimi i Kripës, në të cilin Gandhi dhe mijëra mbështetës u përpoqën të thyenin në mënyrë paqësore monopolin britanik mbi prodhimin e kripës.
Gandi shpalli fundin e rezistencës drejt fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur qeveria britanike premtoi t'i jepte Indisë pavarësinë.
Në ankandin e mbajtur pardje, u shitën gjithashtu dorëshkrime të Gandit, dy nga letrat e tij, si dhe fotografi e sende personale nga koleksioni i Hingoranit.