22:37, 14 Mars 2019

SHBA ka kompletuar tërheqjen e stafit diplomatik nga Venezuela duke e quajtur këtë akt si “të përkohshëm”, përderisa vendi gjendet në një krizë humanitare dhe politike.

Sekretari shtetëror amerikan, Mike Pompeo, ka konfirmuar këto zhvillime në një deklaratë të tij, duke theksuar se SHBA do të vazhdoj mbështetjen për udhëheqësin e Parlamentit të Venezuelas, Juan Guaido, i cili u vetëshpall si president i përkohshëm në janar.

Diplomatët të cilët u tërhoqën nga Venezuela do të vazhdojnë me punën e tyre “nga lokacione tjera, ku do të vazhdojnë të ndihmojnë në menaxhimin e ndihmës humanitare për popullin e Venezuelës dhe të mbështesin aktorët diplomatik që trimërisht i rezistojnë tiranisë”, tha Pompeo.

“Ne shpresojmë të vazhdojmë me prezencën tonë sa të filloj tranzicioni në demokraci”, tha gjithashtu ai.

SHBA ishte vendi i parë që pranoi Guaido-n si lider legjitim të Venezuelës, pas protestave kombëtare. Disa shtete kanë ndjekur këtë hap, por presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, u ka rezistuar thirrjeve për t’u larguar nga zyra e tij, duke insistuar që ai është shënjestër i një grusht shteti të orkestruar nga SHBA-të.

Qorrsokaku politik vjen përderisa Venezuela përballet me përkeqësim të krizës ekonomike që ka çuar në përhapje të mungesës së produkteve dhe në rënien e rrjetit kombëtar të furnizimit me energji elektrike për një javë.

Ekonomia e Venezuelës është në një rënie të lirë pas rënies së çmimit të naftës së papërpunuar në tregjet globale, që paraqet eksportin kryesor të vendit.

Turqia, Rusia, Irani, Kuba, Kina dhe Bolivia kanë vazhduar të mbështesin presidentin Maduro.

Konkurs Pune

Lexo më shumë