SHBA përfshihet në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel për situatën në veri

SHBA përfshihet në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel për situatën në veri

NULL NULL
3 weeks më parë

Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në bisedimet e përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë mbi situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Klankosova.tv një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, duke përsëritur qëndrimin e SHBA-së se tensionet duhet ulur.

“SHBA-ja është duke punuar me BE-në, NATO-n dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në deeskalimin e situatës dhe për të shmangur veprimet që rrisin tensionet, rrezikojnë progresin e ardhshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”.

“Në jemi të kënaqur që të dyja, Kosova dhe Serbia, do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel për të diskutuar dhe inkurajuar të dyja palët për t’iu riangazhuar, seriozisht dhe menjëherë. Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në këto diskutime”.

SHBA thotë se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit për targat serbe nga Qeveria e Kosovës kanë treguar se çështjet mbesin të hapura nëse nuk zgjidhen me dialog.

“Siç shihet nga zhvillimet e fundit, dallimet midis Kosovës dhe Serbisë, nëse lihen të pazgjidhura, do të pengojnë investimet e huaja dhe do të përshpejtojnë ‘ikjen e trurit’, duke parandaluar ekonominë kosovare dhe atë serbe që të arrijnë potencialin e tyre të vërtetë dhe të bllokojnë integrimin e ardhshëm në institucionet europiane”.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të adresuar menjëherë këto çështje, duke përfshirë efektet në sektorin e energjisë dhe ekonominë më të gjerë që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Shtetet e Bashkuara nuk kanë një përshkrim se si të trajtohen këto tema; kjo u takon palëve për t’i diskutuar”.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin bashkëpunimin e ngushtë rajonal për të eliminuar barrierat për lëvizjen e lirë, tregtinë dhe investimet në dobi të të gjithë qytetarëve në Ballkanin Perëndimor”.