ShBA-ja do t’i ndërpresë bisedimet tregtare me Kanadanë, thotë Trumpi NULL NULL 27.06.2025 21:40 27.06.2025 21:40 Foto: AFP/Getty Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se do t’i ndërpres bisedimet tregtare me Kanadanë “menjëherë” teksa vendi po shkon drejt imponimit të një politike tatuese që targeton kompanitë e mëdha të teknologjisë. Hapi i fundit, të cilin e bëri të ditur në rrjete sociale, vjen në kohën kur vendet fqinje po punonin për të arritur pajtim për një marrëveshje tregtare deri në mes të korrikut, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv. Të dy vendet kanë imponuar tarifa ndaj njëra-tjetrës pasi Trumpi nisi një luftë tregtare në fillim të vitit dhe kërcënoi me aneksinimin e Kanadasë duke përdorur “forcën ekonomike”. Të premten, presidenti amerikan tha se po i jepte fund bisedimeve për shkak të asaj që e quajti një “taksë të jashtëzakonshme” mbi kompanitë e teknologjisë dhe shtoi se do të njoftonte për tarifa të reja për mallrat që kalojnë kufirin brenda javës së ardhshme. “Me anë të kësaj po i ndërpresim TË GJITHA diskutimet mbi Tregtinë me Kanadanë, me efekt të menjëhershëm”, shkroi Trumpi në mediat sociale. “Do ta njoftojmë Kanadanë për Tarifën që do të paguajë për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës brenda periudhës së ardhshme shtatë ditore”. Taksa prej 3% e shërbimeve digjitale të Kanadasë ka qenë një pikë ngërçi në marrëdhëniet e saj me ShBA-në që kur ligji u miratua vitin e kaluar. Pagesat e para duhet të bëhen të hënën. Ministri kanadez i financave, zyra e të cilit konfirmoi se vendi do të vazhdojë me taksën, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment nga BBC. Grupet e biznesit vlerësojnë se kjo do t’u kushtojë kompanive amerikane më shumë se 2 miliardë dollarë në vit. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Lajme Evropa përfshihet nga valët e të nxehtit dhe zjarret, ndërsa temperaturat kalojnë 40°C në disa vende 27/06/2025
Kosova Baraliu: Nëse nuk zbatohet aktgjykimi i Kushtetueses, pasojat janë të pariparueshme 27/06/2025