Lajmet e fundit

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se mund t’u kërkojë vendeve evropiane të lirojnë një pjesë të rezervave të tyre të naftës dizel, ndërsa SHBA-ja po shqyrton mundësinë e ndalimit të eksporteve të këtij karburanti, për shkak të mungesës globale.
Komentet e Trumpit erdhën pasi sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, u bëri thirrje vendeve evropiane që të përgatiten menjëherë për lirimin e rezervave. Ai tha se fermerët, transportuesit dhe bizneset amerikane nuk duhet të mbajnë barrën e rritjes së çmimeve.
SHBA-ja ka kërcënuar me kufizimin e eksporteve të dizelit, ndërsa çmimet janë rritur ndjeshëm për shkak të luftës në Iran. Çështja është kthyer në një nga shqetësimet kryesore për votuesit amerikanë, në prag të zgjedhjeve afatmesme, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkohë, të enjten, Mbretëria e Bashkuar zhvilloi bisedime me partnerët evropianë për mundësinë e lirimit të rezervave të dizelit, në rast se SHBA-ja vendos të ndalojë eksportet.
Shtetet e Bashkuara janë një furnizues i rëndësishëm i dizelit në tregun botëror, duke eksportuar rreth 1.2 deri në 1.5 milionë fuçi në ditë. Ekspertët paralajmërojnë se një ndalim i eksporteve amerikane mund të shkaktojë presion të mëtejshëm mbi çmimet në vendet e tjera.
“Po e shqyrtojmë shumë seriozisht”, kishte deklaruar Trump gjatë fundjavës, duke iu referuar mundësisë së ndalimit të eksporteve.
Të enjten, Trump tha se mund t’u kërkojë vendeve evropiane të lirojnë një pjesë të rezervave të tyre të dizelit, ndërsa Bessent kërkoi që kjo të bëhet “menjëherë”.
“Partnerët tanë evropianë duhet të përshpejtojnë përmbushjen e zotimeve të tyre ekzistuese dhe të bëjnë menjëherë të disponueshme furnizime shtesë për të adresuar ndërprerjet e vazhdueshme”, shkroi Bessent në rrjetet sociale.