14:34, 27 Maj 2020

Përfaqësuesit ushtarakë të SHBA-se dhe shtabit të NATO-s në Sarajevë kanë dhënë ndihma dhe pajisje mjekësore për qytetarët në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Donacioni iu dha Ministrisë së Shëndetësisë së Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe përfshinte dhjetëra termometra, qindra mbrojtëse të fytyrës, pesë mijëra maska, qindra syze dhe kostume mbrojtëse, qindra batanije, jastëkë, çarçafë dhe këllëfë për shtrat dhe qindra litra dezinfektues. Një donacion i ngjashëm u bë të premten e kaluar (22 maj 2020), i cili iu dha Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës Srpska“, thuhet në kumtesë, transmeton Klan Kosova.

“Këto furnizime do të ndihmojnë punëtorët e vijës së parë pasi ata vazhdojnë punën e tyre të rëndësishme për të kufizuar përhapjen e virusit korona dhe do të ofrojnë rehati të mëtejshme për pacientët me COVID-19. Donacioni u mundësua si përgjigje ndaj kërkesës së Bosnjës dhe Hercegovinës për ndihmë përmes Qendrës Koordinuese Euro-Atlantike për Reagimin ndaj Fatkeqësive (EADRCC), mekanizëm kryesor i NATO-s për reagimin ndaj fatkeqësive. Qendra vepron 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe bashkërenditë kërkesat e Aleatëve dhe partnerëve të NATO-s, si dhe ofron ndihmë për t’u përballur me pasojat e krizave të mëdha, të tilla si pandemia COVID-19“.

Muajin e kaluar, ekipi i Elementit të Mbështetjes Civile të Ambasadës së SHBA-së dhe NATO-ja kanë siguruar furnizime kritike dhe pajisje dezinfektimi për Forcat e Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Qendrat Shëndetësore të Komunitetit në Tuzëll, Bielin, Nevesinë dhe Rrethi i Bërqkos.

“Donacioni është mundësuar përmes mbështetjes nga organizata joqeveritare “Fryma e Amerikës” dhe bizneset lokale në Bosnje dhe Hercegovinë. Në prill gjithashtu, Bosnja dhe Hercegovina, së bashku me Aleatët dhe partnerët e tjerë të NATO-s në rajonin e Ballkanit, pranuan furnizime mjekësore nga Shtetet e Bashkuara, Hungaria, Sllovenia dhe Turqia. Ky donacioni përfshiu maska, kominoshe dhe sete për testim“.

Konkurs Pune

Lexo më shumë