SHBA dhe Irani shkëmbejnë dy të burgosur

SHBA dhe Irani shkëmbejnë dy të burgosur

10 muaj më parë

Një studiues kinezo-amerikan i dënuar për spiunim në Iran është liruar në këmbim të lirimit të një shkencëtari iranian të mbajtur nga SHBA-të.

Xiyue Wang u arrestua në Iran në vitin 2016 për “bashkëpunim me qeveritë e huaja”.
Massoud Soleimani, një ekspert i qelizave burimore, u arrestua në një aeroport të Chicagos vitin e kaluar. Ai u akuzua për shkelje të sanksioneve tregtare duke provuar të eksportonte materiale biologjike në Iran.

Të dy mohuan akuzat.

SHBA dhe Irani kanë falënderuar qeverinë zvicerane për ndihmën e saj si një ndërmjetësuese në këtë shkëmbim të burgosurish.

Wang shkoi me një aeroplan të qeverisë zvicerane nga Teherani në Cyrih dhe më pas në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, ku ai do të kryejë kontrolle mjekësore para se të shkojë në shtëpi.

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif në Twitter ka njoftuar shkëmbimin.

“Gëzuar që Profesori Massoud Soleimani dhe Z. Xiyue Wang do të bashkohen së shpejti në familjet e tyre”.

Në një deklaratë, presidenti amerikan Donald Trump tha se Wang ishte “mbajtur nën pretekstin e spiunazhit”.

“Lirimi i amerikanëve të mbajtur në robëri është me rëndësi jetike për Administratën time dhe ne do të vazhdojmë të punojmë shumë për të sjellë në shtëpi të gjithë qytetarët tanë, të mbajtur në mënyrë të gabuar robër jashtë shtetit”, thuhet në deklaratë.