Shala: Viti 2016 do të jetë i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Shala: Viti 2016 do të jetë i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë

NULL NULL
04/10/2015
Blerim Shala, koordinatori i dialogut Prishtinë-Beograd në qeverinë e Kosovës, ka thënë se në të dyja vendet sheh vullnet politik për përmirësimin e marrëdhënieve që historikisht kanë qenë të këqija. Ai beson se një fqinjësi e mirë shqiptaro-serbe do të jetë çelësi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, edhe për Kosovën edhe për Serbinë.

Historia shqiptaro-serbe ka një jehonë pozitive në Bruksel dhe tani është koha e duhur për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Pas një kohe të gjatë tani ka vullnet politik për të ecur përpara, ka thënë koordinatori i dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit në qeverinë e Kosovës, Blerim Shala.

“Nëse nuk kemi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe duam t’i dërgojmë qytetarët tanë në Bashkim Europian, atëherë s’mund të shkojmë përpara. Ka ardhur koha për të dyja qeveritë që të prodhojnë rezultate”, ka thënë Blerim Shala në një intervistë për Tanjug’un, transmeton Klan Kosova.

Ai është i bindur se procesi i normalizimit është i pakthyeshëm dhe se duhet të shkojë përpara.

Në këtë proces, sipas vlerësimeve të tij, s’ka kohë për të humbur.

“Historia shqiptaro-serbe ka një jehonë pozitive në Bruksel dhe kjo është ndoshta e vetmja histori pozitive në Ballkanin Perëndimor në vitet e fundit”, thotë Shala.

Ai beson se nëse i tërë procesi ka ecur siç duhet, BE-ja do ta pranojë në gjirin e saj Serbinë, e më pas edhe Kosovën.

Shala mendon se ka ende shumë për të bërë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve, e njëra ndër to është edhe njohja reciproke e dy shteteve.

“Normalizimi nënkupton se Kosova dhe Serbia në mënyrë dramatike duhet të ndryshojnë marrëdhëniet e këqija gjatë gjithë historisë e të jetojnë si fqinje të mira. Është e kuptueshme që serbët e Kosovës të gëzojnë të gjitha të drejtat”, duke shtuar se “ne do ta ndihmojmë njëri tjetrin në procesin e integrimit europian”.

Shala i cili ka marrë pjesë në të gjitha negociatat e deritanishme në mes Prishtinës dhe Beogradit, duke filluar në Rambuje dhe Paris, Vjenë dhe tani edhe në Bruksel, ka thënë se gjatë viteve që kaluan raportet janë përmirësuar në masë të madhe, sepse në Rambuje dhe Vjenë pala serbe nuk dëshironte as të ulej në tryezën e bisedimeve me Kosovën.

Duke folur për Bashkësinë e Komunave Serbe ai ka thënë se ajo do të jetë funksionale deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Ai është shprehur se qeveria e ka shumicën në parlament dhe është e angazhuar t’i shtyjë përpara këto procese, pavarësisht se sa kundërshtuese është opozita karshi kësaj politike.

Sipas tij viti 2016 është shumë i rëndësishëm për shkak se pritet që në mes Beogradit dhe Prishtinës të nënshkruhet një marrëveshje ndërkombëtare e detyrueshme, sepse një mesazh i tillë është dërguar shpesh edhe nga Brukseli.

“Mendoj se gjermanët kanë të drejtë kur thonë se viti 2016 është shumë i rëndësishëm për të dyja palët. Edhe Kosova edhe Serbia janë të gatshme për të hyrë në këtë fazë që na pret”, ka thënë ai.