Kryeministri e presidentja dinin për Kumanovën - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kryeministri e presidentja dinin për Kumanovën

NULL NULL
20/05/2015
“Drejtori i AKI-së na ka njoftuar tekstualisht se edhe presidentja edhe kryeministri janë të njohur me emrat dhe mbiemrat e grupit të infiltruar. Ata e kanë pasur të qartë se çka do të ndodhë në Maqedoni. Në momentin që kryeministri e ka marrë raportin është dashur të veprojë, mirëpo ai është vonuar me hapat që duhej të ndërmerrte”, ka thënë kryetari i komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala, në Infomagazinë të Klan Kosova

Haxhi Shala, Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe anëtar i Nisma për Kosovën, ka thënë se është befasuar me deklaratën e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm për mungesë të informatave rreth ngjarjeve në Kumanovë.

Ai shfaqi habi si ka mundur të ndodh kjo, kur komisioni që ai drejton ka pasur mjaftueshëm informacione rreth kësaj çështjeje.

“Jam befasuar me deklaratën e kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, se nuk kemi informacione rreth zhvillimeve në Maqedoni. Ne si komision kemi qenë të informuar për lëvizjet e qytetarëve brenda Kosovës, që kishin për qëllim destabilizimin e Maqedonisë”, tha ai në Infomagazine të Klan Kosovës.

Shala deklaroi se kryeministri dhe presidentja duhej të merrnin masa kundrejt personave të dyshuar, që si të tillë janë paraqitur qysh në muajin shkurt nga AKI-ja.

“Drejtori i AKI-së na ka njoftuar tekstualisht se edhe presidentja edhe kryeministri janë të njohur me emrat dhe mbiemrat e grupit të infiltruar. Ata e kanë pasur të qartë se çka do të ndodhë në Maqedoni. Në momentin që kryeministri e ka marrë raportin është dashur të veprojë, mirëpo ai është vonuar me hapat që duhej të ndërmerrte”.

Mysafiri tjetër në Infomagazinë, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se përgjegjësia për konfliktin në Kumanovë duhet të kërkohet nga qeveria maqedonase, e jo nga ajo kosovare.

“Qeveria e Maqedonisë duhet të jetë transparente, si dhe duhet t’i ndalojë torturat që po iu bën të burgosurve atje. Nuk mund t’i fajësojmë në kuptimin total institucionet dhe qeverinë tonë për veprimet e një qeverie tjetër. Arsyeja pse këta kosovarë kanë shkuar në Maqedoni është diskriminimi që po iu bëhet shqiptarëve atje”, tha ai.

Anëtari i Nismës, Shala u shfaq i rezervuar rreth asaj se qysh duhet kualifikuar pjesëtarët e grupit të armatosur në Kumanovë – terroristë apo heronjë e patriotë.

“Ne nuk kemi informacione për këta djem. Ata ishin bashkëluftëtarët tonë mirëpo për verimet e fundit ende nuk jemi të informuar, askush nuk e di çka saktësisht ka ndodhur atje. Derisa nuk e dimë, nuk mund t’i quajmë me epitete të ndryshme”, tha ai.

Në emision u fol edhe për kryetarin e BDI-së dhe komenteve që ai bëri për Kumanovën, ne emisionin “Opinion”, të transmetuar mbrëmë edhe në Klan Kosova.

Shala tha se i vjen keq për Ali Ahmetin dhe shtoi se liderët shqiptarë në Maqedoni, tashmë e kanë humbur të drejtën e përfaqësimit të drejtë të interesave të shqiptarëve në këtë shtet.

Haxhiu ndërkaq, tha se mendon që Ali Ahmeti e ka sakrifikuar karrierën e tij që të mos ketë luftë të re në Maqedoni.