Shaip Kamberi: Adem Jashari nuk luftoi vetëm për shqiptarët, por kundër çdo forme të fashizmit

Shaip Kamberi: Adem Jashari nuk luftoi vetëm për shqiptarët, por kundër çdo forme të fashizmit

NULL NULL
1 month më parë

Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka thënë se lufta e Jasharëve ishte për liri e njerëzve të zakonshëm kundër tiranisë fashiste.

Për këtë ai tha se 5 Marsi nuk është vetëm i Kosovës, por i trashëgimisë botërore i luftës kundër fashizmit, njofton Klan Kosova.

“Secila datë historike, botërisht, është rastësi. Nuk ka asnjë veçanti për 5 marsin para vitit 1998. Dhe nuk ka asnjë gjë që mund ta shlyejë rëndësinë e 5 Marsit pas vitit 1998. Kështu pra, një veprim i një familje të zakonshme në Prekaz, bëhet ngjarje që bartë në vete dimension universal. Sepse lufta e Jasharajve ishte e tillë – Luftë për liri e njerëzve të zakonshëm kundër tiranisë fashiste të superarmatosur dhe të uniformuar”, ka shkruar Kamberi.

Ai tha se makineria vrasëse serbe nuk kurseu asgjë duke i vrarë të gjithë anëtarët e familjes, pa kursyer as fëmijët e as të moshuarit.

“Pra makineria nuk bënte luftë, por gjenocid. Sepse nuk donte fitoren, por zhbërjen. Në anën tjetër Adem Jashari qëndroi në shtëpinë e tij, me familjarët e tij. Ishte i armatosur lehtë. Por kishte një armë shumë më të fortë: vendosmërinë për liri. Kjo ngadhënjeu kundër makinerisë së trajnuar vrastare”.

Deputeti tha se kjo është ngjarje e vegjëlisë kundër shtypjes, e rezistencës kundër shfarosjes, e insistimit të njeriut të zakonshëm për të qenë i lirë e barabartë, që e kundërshton shtypjen dhe i njeriut që e vlerëson e lirinë dhe barazinë më shumë se jetën.

“Adem Jashari luftoi si shqiptar i Kosovës. Por nuk luftoi vetëm për shqiptarët. Luftoi për të gjithë të shtypurit kundër çdo forme të fashizmit”.