19:03, 3 Mars 2016

Në Info Magazine të Klan Kosovës, të enjten u diskutua për sfidat e zbatimit të Marrëveshjes Kolektive, kontratave të punës, dialogun social, Odat Ekonomike dhe sindikatat.

Kushtrim Shaipi, aktivist i Shoqërisë Civile ka thënë se dialgou social nuk ka përfshirë të gjithë akterët që kanë implikime nga zhvillimet ekonomike, ndërsa është vërejtur sidomos mungesa e përfaqësimit sektorial, njofton Klan Kosova.

“Veç Odës Ekonomike të Kosovës dhe Aleancës Kosovare të Biznesit, organizatat tjera kanë qenë shumë pak të përfshira në dialogun social”.

“Kemi pasur edhe mungesë të përfaqësimit sektorial, kur është diskutuar për pagën minimale, oraret etj”.

“Nëse e obligon një biznes që pas tri vitesh të nënshkruajë kontratë të përhershme me stafin dhe atëherë përfundon projekti, këtu lind problemi”.

Ai ka theksuar rëndësinë që ka dialogu me bazë, kujdesi në diskutim me të gjitha palët në mënyrë që të mos ketë marrëveshje të disfavorshme për asnjërën palë dhe vazhdimësia e qëndrimeve për të mos pasur luhatje.

“Unë nuk jam kundër bashkëbisedimit me bazë, apo anëtarësi për Kontratën Kolektive, përkundrazi”.

“Nuk ka pasur nevojë të nënshkruhet nëse nuk është e favorshme për bizneset, por kur kjo bëhet dhe garant është qeveria, atëherë ajo është e plotfuqishme dhe duhet të respektohet”.

“Këtu kemi një moskonsistencë të qëndrimeve nga faktorët e involvuar në këtë proces”.

Shaipi po ashtu ka theksuar rolin që kanë sindikatat e sektorit privat, ndërsa është shprehur kritik për presionin që bëjnë bizneset për mosformimin e tyre.

“Është në të mirë të kompanisë që të ketë sindikata, pasi shefi i saj nuk ka nevojë të merret me të gjithë punëtorët, por me përfaqësuesin e tyre”.

“Ka presione nga një pjesë e bizneseve për mosformimin e tyre, por është e drejtë e punëtorëve që të kenë kësi organizimesh”.

“Nuk ka kompani të themeluar paslufte që ka sindikatë të veten”.

“Mosgatishmëria e bizneseve për të pasur një përfaqësues të punëtorëve për të diskutuar me ta është e habitshme”.

Nga ana e tij, Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, ka thënë se është për shumë oda ekonomike, por që të dihet roli i secilës, njofton Klan Kosova.

“Çështja duhet të merret nga aspekti parimor dhe nga ndërtimi institucional. Është shumë e qartë dhe e tejkalueshme”.

“Secila odë është odë në vete, por megjithatë pothuaj të gjitha merren me të njëjtën gjë”.

“Unë jam për shumë oda, për konkurrencë, por duhet të dihet secila çka përfaqëson”.

“Qeveria ka krijuar dekor për vetveten, me përzgjedhjen e odave dhe sindikatave”.

Rexhepi ka thënë se moszbatimi i Ligjit të Punës dhe Marrëveshjes Kolektive janë probleme të mëdha, ndërsa  ka vënë theksin tek mospuna e institucioneve dhe sindikatave në lidhje me të drejtat e punëtorëve, njofton Klan Kosova.

“Ka pasur mungesë dialogu, mospajtim dhe mosqartësim, por është dashur të nënshkruhet për shkak të ndikimeve”.

“Duhet zbatuar Ligji i Punës. Pa zbatimin e tij nuk mund të flasim për zbatimin e Marrëveshjes Kolektive”.

“Nuk dua të hyj në debate, por çështja e pushimit të lehonisë tash e ka rënduar pozitën e femrës në sektorin privat”.

“Për shkeljen e të drejtave të punëtorit nuk duhet fajësuar punëdhënësi, por mospuna e institucioneve të shtetit, sindikatave”.

“Punëdhënësit duhet të bëhen korrekt, ta zbatojnë ligjin dhe gjithçka del prej tij”.

Samir Krasniqi, kryetar i Odës Gjermano-Kosovare ka thënë se Këshilli Ekonomiko-Social duhet rimodeluar dhe ndoshta duhet një federatë e odave ekonomike.

“Në Këshillin Ekonomik Social kemi dy oda, OEK dhe AKB me anëtarët e tyre. Nuk është problemi pse Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare nuk është anëtare e Këshillit. Por kriteret për të qenë pjesëmarrëse e këtij këshilli nuk janë të rregullta”.

“Unë mendoj që ky Këshill duhet rimodeluar dhe parë kush mund të jetë anëtar i tij”.

“Duhet ndoshta Odat Ekonomike të krijojnë një federatë për përbashkët. Me rëndësi është që interesat e bizneseve të mbrohen”.

“Një Kontratë Kolektive nuk mund të bëhet e përgjithshme, për të gjithë sektorët. Ndaj në Këshill do të duhej që më parë të ishin anëtarë sektorët sesa odat”.

“Nëse ka pengesa në Ligjin e Punës dhe në Marrëveshjen Kolektive, atëherë duhen rinegociuar, në mënyrë që të mos rëndohet biznesi, edhe ashtu i rënduar”.

“Unë mendoj që sektori privat nuk duhet rënduar – duhet pasur kujdes në raport me këtë sektor”.

“Është e qartë që në Kosovë ka një numër të madh të bizneseve, megjithatë, që nuk respektojnë ligjin, bëjnë evazion fiskal dhe shmangie tjera”.

“Mos të jepet përshtypja që bizneset janë kundër formimit të sindikatave”.

“Kjo është e drejtë e punëtorëve. Në momentin kur punëtorët organizohen dhe formojnë sindikatë dhe punëdhënësi është kundër, atëherë puna ndryshon. Unë nuk e di një rast të tillë”.

“Jemi për respektimin e të drejtave të punëtorëve. Nëse ata janë mirë edhe biznesi është mirë”.

klankosova.tv

Konkurs Pune

Lexo më shumë