Lajmet e fundit
Afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit nuk u respektua, ndërsa vazhdimi i seancës është caktuar për këtë të mërkurë.
Madje as data e përcaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje si kufi për përfundimin e procesit, njësoj sikurse afati i parë 30-ditor, nuk është respektuar. Çështja ka nxitur reagime edhe nga ish-opozita, me Aleancën që veprimin e kryesuesit të seancës, i cili vjen nga radhët e pushtetit, e konsideron shkelje, raporton Klan Kosova.
Sipas ish-opozitës, shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës nga Lëvizja Vetëvendosje po i japin kësaj të fundit pikërisht epitetin që, sipas tyre, e kishte përcaktuar vetë për veten.
E gjithë situata, nga ish-partitë opoziatre, po shihet si një përpjekje që vendi të dërgohet në zgjedhje, madje duke synuar datat e përshtatshme për mbajtjen e tyre.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse partitë që dikur ishin në opozitë do të marrin pjesë në seancën e radhës, të cilën e konsiderojnë kundërkushtetuese.
Sipas tyre, çdo vendim që mund të merret në një seancë të tillë do të ishte i diskutueshëm.
Debati lidhet edhe me interpretimin e afatit kushtetues prej 30 ditësh. Opozita pretendon se ky afat ka përfunduar në javën e parë të gushtit dhe jo më 5 shtator, siç po interpretohet nga pushteti.
Prej disa javësh, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë shkuar në Kuvend çdo 48 orë, duke kërkuar konstituimin e këtij institucioni. /Klankosova.tv
Ndiqeni kronikën më sipër.