Lajmet e fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se PDK-ja është dashur të qëndrojë në sallën e Kuvendit dhe të propozojë një kandidat tjetër për nënkryetar, në vend të Vlora Çitakut.
Megjithatë, Kurti tha se ende shpreson për një marrëveshje politike, ku votat të shkëmbehen për zgjedhjen e nënkryetarit të PDK-së dhe presidentit të vendit.
Por, PDK-ja ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive dhe se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Në këtë qëndrim mund t’i bashkohet edhe LDK-ja, e cila gjithashtu e ka lëshuar sallën, duke refuzuar që kandidati i saj për nënkryetar të hidhet në votim.
Ndërkohë, nga Vetëvendosje nuk është bërë i ditur emri i kandidatit të PDK-së që do ta mbështesin, ndërsa deputetët e partive të tjera kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në seancën e radhës, me synimin që institucionet të konstituohen para 16 shtatorit.