Scott Walker – inovator muzikor (VIDEO) NULL NULL 25.03.2019 15:48 25.03.2019 15:48 Një nga shenjëlënësit në historinë muzikore, Scott Walker, u shua sot në moshën 76 vjeçare, duke lënë pas një mori artistësh që krijuan muzikë me frymën e tij. I lindur në Amerikë nga nëna kanadeze dhe babai britanik, ai fillimisht e nisi karrierën që në fëmijëri si aktor për t’iu përkushtuar më vonë muzikës në të cilën rrugë nga një yll adoleshent u shpalos si i veçantë, i dallueshëm dhe jokonvencional. Pas takimit me kitaristin John Walker, ata e themeluan “The Walker Brothers” më 1964, duke u zgjeruar më vonë në një trio bashkë me bateristin Gary Leeds, transmeton Klan Kosova. “Pretty Girls Everywhere”, “Love Her”, “Make It Easy on Yourself” dhe “The Sun Ain’t Gonna Shine Any More” ishin këngët më të njohura të tyre – dy të fundit hite në Britani të Madhe. Ai ishte pjesë e këtij bendi për katër vjet, për ta nisur më pas karrierën solo nga 1967 e tutje, duke sjellë 14 albume, 1 EP dhe 15 këngë single. Albumi i tij i dytë, “Scott 2” madje kishte zënë vendin e parë në toplistën e albumeve në Mbretërinë e Bashkuar. Në të ishin këngët e mirënjohura si “Jackie”, “The Girl from the Street” dhe “Next”, ndërkaq në përgjithësi, këngët si “Joanna”, “Lights of Cincinnati”, “I Still See You”, “The Me I Never Knew” dhe “Delta Dawn”, ishin ato që e sollën në syrin e publikut të gjerë. Edhe produksioni i tij muzikor, 4AD, në komunikatën e lëshuar pas vdekjes së tij, e cilësoi si “njërin nga inovatorët më të admirueshëm në tehun më të mprehtë të muzikës kreative”. Fjalë të mëdha për të pati, mes shumë artistësh, edhe Thom Yorke i Radiohead, i cili e cilësoi si ndikim të madh në bendin dhe në vetë atë, dhe si dikush nga i cili mësoi ta përdorte zërin dhe fjalët e tij. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kulturë Rrëfimi i një nëne për të birin përmes librit "Dëshmia e një nëne" nga Shpresa Hoxha (VIDEO) 15 orë më parë