Lajmet e fundit
Gazetari Naim Sadiku ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit të Kosovës nuk e ka zgjidhur krizën politike, por vendi ka hyrë në një fazë tjetër të saj.
Në programin e mëngjesit në Klan Kosova, Sadiku ka vlerësuar se mënyra se si është konstituuar Kuvendi, por edhe procesi i formimit të Qeverisë, mund të kontestohen në Gjykatën Kushtetuese.
Sa i përket konstituimit të Kuvendit, kjo tashmë është bërë nga PDK, e cila paraditen e së hënës e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
“…Absolutisht po, sepse gjithçka çfarë ka ndodhur dje është në një terren antikushtetues dhe besohet që më pastaj lëndët që do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese nga dy partitë politike opozitare, PDK-ja dhe Aleanca, do ta rrëzojnë të gjithë çfarë ka ndodhur. Por kjo mbetet për t’u parë. Deri më tash e dimë saktë se si e ka paraparë Gjykata Kushtetuese, por edhe gjykimet e saj se si duhet të rrjedhin afatet për konstituimin e Kuvendit edhe afatet për formimin e Qeverisë, çështje e nënkryetarëve dhe kështu”, tha Sadiku.