Lajmet e fundit

Presidenti i Manchester Cityt, Khaldoon Al Mubarak, u është drejtuar me një letër të hapur tifozëve të klubit, pas raportimeve dhe diskutimeve të fundit rreth hetimeve dhe procesit të hapur nga Premier League.
Al Mubarak theksoi se beteja ligjore është ende larg përfundimit, por nënvizoi bindjen e plotë të klubit për të pastruar emrin dhe për të provuar se nuk ka shkelje rregullash, transmeton Klankosova.tv.
“Procesi i Premier Leagues ka ende një rrugë të gjatë për t’u përfunduar. Besimi dhe vendosmëria jonë për të dëshmuar pafajësinë e klubit janë po aq të forta sa në fillim”, ka deklaruar kreu i kampionëve anglezë.
Ai gjithashtu u kërkoi mirëkuptim mbështetësve për mungesën e detajeve konkrete rreth çështjes, duke shpjeguar se janë të kufizuar nga kufizimet ligjore.
“Për shkak të konfidencialitetit të procedurave ligjore, nuk mund të zbulojmë çdo element të rastit. Madje edhe kjo letër i është nënshtruar disa kontrolleve ligjore për t’u siguruar që është plotësisht në përputhje me procesin”, shtoi më tej Al Mubarak.
Manchester City ndodhet nën shqyrtimin e rreptë dhe procesin hetimor të Premier League prej rreth tetë vitesh, teksa nga drejtuesit e klubit është ritheksuar vazhdimisht se qëndrimi i tyre për pafajësi absolute mbetet i pandryshuar.