Lajmet e fundit

Rusia do të dëbojë një numër të paspecifikuar diplomatësh hungarezë si masë hakmarrëse, njoftoi të enjten Ministria e Jashtme ruse, pasi muajin e kaluar Budapesti dëboi 10 diplomatë rusë.
"Si masë reciproke, një grup punonjësish të Ambasadës hungareze në Moskë dhe të Konsullatave të Përgjithshme hungareze në Shën Petersburg dhe Kazan duhet të largohen nga territori i Federatës Ruse brenda dy javësh," deklaroi ministria.
Ministria e Jashtme hungareze tha në një deklaratë se e kishte marrë dijeni për vendimin e Rusisë, duke shtuar: "Hungaria nuk është e interesuar për një përshkallëzim të tensioneve diplomatike."
Hungaria i kishte akuzuar diplomatët rusë të dëbuar se kishin vepruar në mënyra të papajtueshme me statusin e tyre – një formulim që shpesh përdoret si kod për spiunazhin. Ky veprim ishte një sinjal i qartë se epoka pro-ruse e ish-kryeministrit Viktor Orban ka përfunduar, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Orban, i cili humbi pushtetin në prill pas 16 vitesh në detyrë, kishte ruajtur lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin edhe pasi Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022, duke vazhduar të blinte naftë dhe gaz rus pavarësisht sanksioneve të Bashkimit Evropian.