Lajmet e fundit
Dy aksidente me fatalitet janë raportuar gjatë fundjavës në Kosovë, duke marrë jetën e dy personave në rajonin e Dukagjinit dhe atë të Prizrenit.
Në fshatin Jasiq të Klinës, një 45-vjeçar ka humbur jetën pasi, derisa po drejtonte një katërçikletë, dyshohet se nuk e ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës, duke u përplasur me një breg.
Korrespondenti i Klan Kosovës, Valdrin Daci, ka bërë të ditur në emisionin "Ora 7", se ky është rasti i dytë me fatalitet në rajonin e Pejës brenda një viti, ku viktima ka qenë duke drejtuar një katërçikletë.
Një tjetër aksident me katërçikletë ishte raportuar edhe në gusht, ndërsa në shtator të vitit të kaluar një person kishte humbur jetën në një aksident të ngjashëm në fshatin Treboviq të Pejës.
Ndërkaq, një tjetër vetëaksident me fatalitet ka ndodhur të dielën rreth orës 16:20 në fshatin Shirokë të Suharekës.
Korrespondenti për rajonin e Prizrenit, Nuhi Salihu, tha që dyshohet se drejtuesi i automjetit nuk e ka përshtatur shpejtësinë dhe ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga.
Në veturë ndodheshin edhe bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij, të cilët kanë pësuar lëndime të lehta. Drejtuesi, 49-vjeçar nga Hoça e Vogël e Rahovecit, është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku rreth orës 21:00 është konfirmuar vdekja e tij.