Rrëfimi i Liman Gecit për betejën e parë frontale të UÇK-së dhe Adem Jasharin (VIDEO)

Rrëfimi i Liman Gecit për betejën e parë frontale të UÇK-së dhe Adem Jasharin (VIDEO)

NULL NULL
2 muaj më parë

Sot janë bërë 23 vjet prej betejës së parë frontale të UÇK-së me forcat serbe.

Njëri nga protagonistët e betejës së 27 nëntorit të vitit 1997, Liman Geci, ka rrëfyer për këtë ngjarje në Info Magazine të Klan Kosovës.

Ai ka thënë se komandanti legjendar Adem Jashari kishte dhënë urdhrin që forcave serbe t’i bëhet pritë në vendin e quajtur Klysyrë.

“Është beteja e parë frontale e cila nuk harrohet kurrë. Një ditë më herët e kanë sulmuar komandantin Abedin Rexha – Sandokani dhe i kanë zmbrapsur atë natë. Atë natë kemi shkuar në odën e Sylejman Selimit. Aty kanë qenë komandanti legjendar Adem Jashari, Jetullah Geci dhe shumë njerëz të tjerë. Komandanti legjendar Adem Jashari ka dhënë urdhër që të dalim në Klysyrë që ta zëmë pritën, sepse është vendi më i përshtatshëm për të bllokuar forcat serbe”.

“Misioni i forcave serbe ishte që të shkonin dhe ta bastisnin sërish atë familje. I kemi dalë përballë dhe i kemi sulmuar. Kanë pësuar shumë aty, sepse ne kemi qenë pikërisht në pikën ku kanë dalë forcat serbe”.

Ai ka thënë se pavarësisht se çfarë është thënë është mirë të dihet se gjithçka lidhur me këtë betejë është vendosur bashkë me komandantin Adem Jashari.

Geci ka deklaruar se pavarësisht që ushtarët e UÇK-së nuk kishin shumë armatim kishin shumë vullnet.

“Asnjë ushtar i UÇK-së nuk është gërrithur atë ditë dhe i kemi kthyer forcat serbe prapa. Në atë kohë kemi qenë pa armatim, por vullneti ka qenë i madh. Me ato kushte që i kemi pasë i kemi dalë përballë forcave serbe. Jemi triumfues shumë të mëdhenj dhe jam krenar me atë punë që kemi bërë”.

“Mitrolozi më i madh ka qenë i komandantit legjendar Adem Jashari. Kemi pasë disa mortaja, disa snajpera dhe nga dy-tre bomba që kemi menduar ta ndalim nga një bombë për vete vetëm që mos t’i dorëzohemi forcave serbe. I kemi sulmuar me të gjitha forcat që i kemi pasë”.

Ai ka rrëfyer edhe se si e kishin planifikuar zënien e forcave serbe në pritë.

“Kur e kemi bërë planin që të shkojmë në Klysyrë, kemi planifikuar që të jemi në të gjitha pozicionet. Plani jonë ka qenë që kur forcat serbe të futen në mes të sulmohen nga të gjitha anët dhe kjo ata i ka zënë në befasi. Neve më së shumti na ka bërë presion helikopteri. Ky helikopter është qëlluar nga ne dhe nuk është kthyer më”.

Geci ka thënë se kjo përballje e rreptë, siç e quan ai, mes forcave serbe dhe ushtarëve të UÇK-së ka zgjatur dy-tre orë.

Por, si e përshkruan ai komandantin Adem Jashari?

“Adem Jashari ka folur shumë pak, por ka punuar shumë. Unë aso njeriu nuk kam parë dhe nuk besoj që do të shoh, edhe pse e kam shëtitur botën. Jam krenar me komandantin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë ushtarët e UÇK-së”.

Ish-ushtari i UÇK-së ka treguar edhe për muhabetet që ai dhe shokët e tij luftëtarë kishin bërë pasi e kishin fituar këtë betejë dhe forcat serbe ishin tërhequr.

“Ne jemi bërë bashkë dhe kemi folur që të dalim nëpër pozicione se e kemi ditur që mund të pësojmë, por forcat serbe për shkak të frikës që ne kemi shumë armatim nuk ia kanë mësyrë më fshatit Llaushë. Fshati Llaushë është ndër fshatrat e Kosovës që është i pamposhtur”.

Një ditë pas kësaj beteje, UÇK-ja kishte bërë paraqitjen e parë publike.