11:04, 27 Shkurt 2019

Helsinki, 27 shkurt – Kompjuterët dhe pajisjet tjera teknologjike mund t’i bëjnë mirë drejtësisë, por jo për gjithçka mund t’u besohet atyre.

Kështu tha ministri i drejtësisë i Finlandës, Antti Hakkanën, në ditën e dytë të konferencës “Ta qeverisës ndryshuesin e lojës-ndikimi i zhvillimeve të inteligjencës artificiale në të drejtat e njeriut, demokraci dhe sundim të ligjit”, që po mbahet në Helsinki.

“Inteligjenca artificiale sjell shumë potencial për drejtësinë dhe mund ta bëjë më të mirë atë. Pajisjet mund të shkurtojnë procedurat gjyqësore… Por, a mund t’i mësojmë makinat të respektojnë standardet?!, tha ai në fjalimin e tij, të mërkurën. “Çfarëdo që bëjmë, nuk ka garanci se inteligjenca artificiale do të jetë fer…”

Hakkanen shtoi që në rast se nuk bëhen zgjedhjet e duhura në lidhje me shfrytëzimin e teknologjisë në drejtësi, mund të ndodh që inteligjenca artificiale bën më tepër për dëm se dobi.

Ai tha se Evropa, e prirë nga KE-ja, duhet të kujdeset për të forcuar korniza ligjore që rregullojnë këtë çështje dhe të cilat e marrin parasysh zhvillimin e hovshëm të teknologjisë dhe shfrytëzimin e saj në drejtësi.

E në fokus të kësaj, sipas tij, duhet të jetë fakti se qasja fer në drejtësi t’u garantohet të gjithëve dhe se besimi i qytetarëve në sundim të ligjit të jetë në qendër të gjithçkafit.

Sipas Hakkanen, administratorët e rregullave nuk duhet vetën të reagojmë, pasi inteligjenca artificiale të ketë kryer punën e saj, por, siç tha, ata duhet të jenë proaktivë, në mënyrë që të ndihmojnë për shfrytëzim sa më të mirë të teknologjisë. Folës tjerë në konferencë thanë po ashtu që teknologjia duhet të përdoret në drejtësi, sa më tepër që të jetë e mundur.

Një qëndrim i përbashkët ishte se makinat, kompjuterët dhe algoritmet, në asnjë mënyrë, nuk duhet të minojnë punën e gjyqtarëve. U tha se këta të fundit, pavarësisht çfarëdo revolucioni teknologjik në drejtësi e sundim të ligjit, duhet të jenë profesionistë dhe të përgjegjshëm, gjë që nuk mund të thuhet edhe për inteligjencën artificiale.

Konferenca “Ta qeverisës ndryshuesin e lojës-ndikimi i zhvillimeve të inteligjencës artificiale në të drejtat e njeriut, demokraci dhe sundim të ligjit” ka nisur të martën, në Helsinki dhe po mbahet në organizim të Këshillit të Evropës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës.

Ky shtet kryeson presidencën e radhës të Komitetit të Ministrave të KE-së. Klan Kosova po e ndjek këtë konferencë, me ftesë të ministrisë së Jashtme të Finlandës/ambasadës finlandeze në Prishtinë./klankosova.tv/.

Konkurs Pune

Lexo më shumë