Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve mund të shpallet në fillim të javës tjetër

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve mund të shpallet në fillim të javës tjetër

NULL NULL
2 months më parë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 14 shkurtit për subjektet politike dhe kandidatët mund të bëhet në fillim të javës tjetër.

Valmir Elezi nga KQZ-ja ka thënë se nesër pritet që të përfundojë rinumërimi i vendvotimeve dhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

Kjo do t’i hapë rrugë numërimit të votave me kusht dhe votave të ardhura me postë.

“Dy aktivitetet që po zhvillohen këtu: rinumërimi i vendvotimeve dhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës, mund të themi se janë në përfundim e sipër dhe presim që të përmbyllen ditën e shtunë. Kjo na bën të mundur që të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe votave të ardhura me postë. Pas përfundimit të tyre dhe procedurave këtu në QNR, atëherë KQZ-ja është e gatshme për të shpallur rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët dhe besojmë shumë se do të bëhet në fillim të javës”.

Deri më tani janë rinumëruar rreth 70 % apo 377 vendvotime nga 552 sa është numri i përgjithshëm i tyre pas vendimit të fundit të KQZ-së.

Shërbimi votues i KQZ-së është në përfundim e sipër të vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës, nga 2 – 12 shkurt.

Nga puna e deritashme nga ky shërbim janë hapur 41 mijë e 236 pako të supozura me fletëvotime prej nga janë aprovuar 48 mijë e 728 zarfe me fletëvotime dhe 18 mijë e 876 zarfe të refuzuara.

Arsyet e mosaprovimit të tyre janë të ndryshme, por mund të kategorizohen në 5 grupe kryesore: • 8 mijë e 417 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 6 mijë e 113 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore;  1 mijë e 268 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë;  2 mijë e 249 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor) dhe 829 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim.