Vrasja te Gjinekologjia: Fjalët e fundit që gruaja shtatzëne ia tha dorasit para se ai ta qëllonte NULL NULL 30.11.2022 18:28 30.11.2022 18:28 20:15 – Vrasja te Gjinekologjia: Fjalët e fundit që gruaja shtatzëne ia tha dorasit para se ai ta qëllonte Sot në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjegjësisht para Klinikës së Gjinekologjisë, rreth orës 18:00 ndodhi një vrasje e rëndë që e tronditi opinionin. Sipas burimeve të Klan Kosovës, një grua 35-vjeçare që kishte shkuar për ta lindur foshnjën e saj në Klinikën e Gjinekologjisë, u qëllua me dy plumba nga ish-bashkëshorti i saj, shkruan Klan Kosova. Vrasja e saj ndodhi pikërisht në oborrin e kësaj klinike ku ka pasur edhe kalimtarë rasti. Klan Kosova ka rënë në kontakt me një dëshmitare e cila i ka dëgjuar fjalët e fundit të viktimës para se ajo të vritej. “Po, më duket se ka qenë shtatzënë sepse ka bërtitur: ‘pasha këtë fëmijë që kam me lind sonte’”. “Ai veç e ka nxjerrë alltinë prej xhepit dhe e ka qëlluar dy herë”, ka shtuar dëshmitarja. Menjëherë pas raportimeve për vrasjen e gruas shtatzënë, Klan Kosova e ka kontaktuar Policinë e Kosovës e cila ia ka konfirmuar vrasjen. “Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35-vjeçare”. “Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë zyrtarja e për Informim e Policisë, Flora Ahmeti. Më vonë, lajmin se viktima u qëllua për vdekje në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë e konfirmoi edhe vetë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës. 20:16 – Vrasja e shtatzënës: Viktima kishte dalë për shëtitje, e kishte pranuar se është ndarë nga bashkëshorti (VIDEO) Gruaja që mbeti e vrarë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë është hospitalizuar gjatë vikendit në repartin e grave shtatzëna dhe ajo ishte në pritje të lindjes së fëmijut të parë. Mjekët e kësaj klinike kanë bërë të ditur se në momentin e pranimit, viktima ka deklaruar se ajo është e ndarë nga bashkëshorti i saj, pasi në pyetësorin e pacienteve – grave shtatzëna që marrin trajtim në Klinikën e Gjinekologjisë është edhe kjo pyetje në lidhje me statusin e tyre. Në lidhje me vrasjen, burime të Klan Kosovës thonë se viktima me një shoqe të dhomës – grua tjetër shtatzënë, kanë dalë që të shëtisin ku është takuar me ish-bashkëshortin e saj. Në një moment, siç ka rrëfyer pacientja tjetër, ka parë që ata kanë pasur një konflikt verbal dhe ajo është distancuar nga ta dhe brenda këtyre momenteve janë dëgjuar të shtënat me armë. Prokurori i rastit ka ardhur pas orës 18:00 derisa ekipet e forenzikes kanë ardhur gati një orë e gjysmë pas rastit dhe në fund është automjeti i IML-së që e ka bërë tërheqjen e trupit të viktimës. 20:05 – Kurti dënon vrasjen e gruas shtatzënë: U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Gjinekologjisë në QKUK. Ai ka thënë se me vrasjen e 35-vjeçares, u shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër, transmeton Klan Kosova. “Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër”. “Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjën e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”. 19:27 – Dyshohet se gruaja te Gjinekologjia u vra me dy plumba në kokë I dyshuari për vrasjen e ndodhur para Klinikës së Gjinekologjisë dyshohet se është ish-burri i viktimës. Siç mëson Klankosova.tv, viktima është qëlluar me dy plumba në kokë ndërsa dorasi ka ikur nga vendi i ngjarjes. Se një grua 35-vjeçare është vrarë në oborrin e Klinikës Gjinekologjike e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. “Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje”, është shprehur Ahmeti për Klankosova.tv. 19:25 – ShSKUK tregon se vdekja ndodhi në oborrin e QKUK-së Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës e ka konfirmuar se vrasja ka ndodhur rreth orës 18:00 në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Sipas ShSKUK-së, organet policore menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe dyshimet e para nga Policia janë se bëhet fjalë për vrasje “Qendra Klinike Universitare e Kosovës konfirmon se sonte rreth orës 18:00, në oborrin e QKUK-së ka ndodhur një vdekje”. “Organet policore menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe dyshimet e para nga Policia janë se bëhet fjalë për vrasje”. “Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim të sqarimit të plotë të ngjarjes”. “Detajet e tjera do të jepen nga organet kompetente që janë duke kryer hetimet”. 19:04 – Gruaja shtatzënë që u qëllua për vdekje te Gjinekologjia ishte 35-vjeçare Sot rreth orës 18:00 ka ndodhur një vrasje e rëndë para klinikës së Gjinekologjisë në QKUK. Lajmin për klankosova.tv e ka konfirmuar zyrtarja për Informim e Policisë , Flora Ahmeti. “Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35-vjeçare”. “Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë Ahmeti. Policia nuk ka dhënë detaje rreth viktimës, mirëpo jozyrtarisht Klankosova ka mësuar se tashmë e ndjera ka qenë shtatzënë dhe e shtrirë në klinikën e Gjinekologjisë. /Klankosova.tv 18:28 -Rast i rëndë në Prishtinë – vritet gruaja shtatzënë para Gjinekologjisë Dyshohet se një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Sipas burimeve të Klan Kosovës, dyshohet se viktima është grua dhe se ka qenë e shtrirë në Gjinekologji të QKUK-së. Klan Kosova është në pritje të një përgjigjeje nga Policia e Kosovës. klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova “Torta për Simiqin”, Behrami i reagon Zybës: Për shpifjet tua, do ndjekim procedurat ligjore 29/06/2025