Muhaxhiri: Raporti i Freedom House të merret me rezerva NULL NULL 29.04.2015 18:24 29.04.2015 18:24 Raporti për lirinë e mediave nga Freedom House rreth të cilit po debatohet në Info Magazinën e KlanKosovës, duhet të shikohet me rezerva për arsye të përgjithësimeve që merren parasysh si indikatorë. Sociologu Artan Muhaxhiri ka thënë se termet me të cilat kategorizohen vendet në këtë raport, janë shumë përgjithësuara dhe ka vënë dyshime mbi metodologjinë e këtij raporti. “Raporti duhet të merret me rezerva, për arsye se shumë indikatorë janë të përgjithësuar. Bashkimi i kategorive ekonomike, politike dhe ligjore, sipas të cilave janë bërë analizat, nuk mund të sjellin rezultate reale. Pjesërisht e lirë, është një term i përgjithësuar. Nuk dihet se a është e lirë pjesërisht ekonomikisht, politikisht apo ligjërisht. Freedom House nuk ka realizuar një punë të madhe ekipore me analiza ekonomike apo politike për kontekstin e Kosovës”. Sipas Muhaxhirit, indikatori kryesor që duhet të merret për bazë është fakti se deri në cilin nivel mediat e një vendi mund ta kritikojnë qeverinë. “Sa munden mediat ta kritikojnë pushtetin? Ky është indikatori kryesor për një medium. Kjo është liria kryesore. Në vendet diktatoriale, publikimi i skandaleve të qeverisë nuk ndodh fare. Mediat në Kosovë mund të tallen me presidenten apo kryeministrin. Nuk e di nëse janë marrë parasysh këta faktorë përgjatë punës analizuese. Në Kosovë duhet të dallohet censura politike nga ajo ekonomike”. Përkundër Muhaxhirit, Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, ka thënë se ky raport duhet të merret shumë seriozisht dhe se gjendja faktike është edhe më e keqe sesa është paraqitur në raport. “Ndoshta ndryshimi i pozitës nuk është shumë i madh. Duke iu referuar kërcënimeve që iu janë bërë gazetarëve në punën e tyre, gjendja është më e keqe se që është paraqitur në raport”. “Rangimi i Kosovës në atë pozitë do të thotë se gazetarët janë gjysmë të lirë. Kosova si vend është gjysmë i lirë”, ka thënë Shabani. Muhaxhiri po ashtu ka folur edhe rreth gazetarisë së portaleve, ku liria e medieve, sipas tij është absolute. “Unë nuk e di a janë marrë për bazë personat që punojnë nëpër portale. Sepse nëpër portale mund të gënjejnë, shpifin, shkruajnë çfarëdo, kanë një liri absolute, nuk e di a janë marrë ata për bazë apo vetëm mediat klasike. Ata nuk kanë as pengesa ligjore as ndonjë pengesë tjetër”, ka thënë Muhaxhiri. Raporti i Freedom House e ka ranguar Kosovën në vendin e 100 në ranglistë, tek pjesa e vendeve pjesërisht të lira. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Sonte në Kiks Kosova - Të bijat fajësojnë mjekët në Gjakovë dhe Rahovec për vdekjen e babait (VIDEO) 20/09/2023