“Ne e kemi shumë të lehtë të biem në gracka fare banale siç është ajo e një grupi që qenka angazhuar në një pazar për ta ndarë Kosovën dhe një tjetër për ta mbrojtur atë”.

12:42, 3 Korrik 2020

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur sot në takim homologun e tij nga Kosova, Avdullah Hotin, dhe pas takimit kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.

I pyetur se do ta mbështeste Kosovën në një iniciativë për ta paditur Serbinë për gjenocid, Rama ka thënë se barrikadimi i Kosovës do ta forconte pozicionin e Serbisë.

“Ne jemi një komb dhe një familje, por jetojmë në dy shtëpi të ndryshme dhe me sa unë di, një shtet nuk mund të bëjë padi për një shtet tjetër [në kuptimin në emër të një shteti tjetër]”.

“Në të gjitha rastet, unë besoj se kjo që ka ndodhur nuk mundet dot të përballohet duke bërë sikur po intensifikojmë luftën me Serbinë, përkundrazi unë besoj që bërja sikur po intensifikohet lufta me Serbinë duke u barrikaduar për atë që ka ndodhur, vetëm dobëson pozicionin e Kosovës dhe forcon pozicionin e Serbisë”.

“Kur ka një proces të pashmangshëm [jo vetëm sepse fqinjin nuk e zgjedh] duhet të bësh çmos të bësh paqen – jo për fqinjin, por për fëmijët e tu”.

“Shqiptarët në vitet e fundit s’kanë qenë kurrë më mirë sesa në gjithë historinë e tyre, kemi dy shtete, jemi rast unikal. Por nga ana tjetër, sa më shumë sfida e paqes komplikohet, aq më shumë ne shohim të shfaqen metodat e vjetra që në historinë tonë na kanë shkatërruar gjithmonë”.

Rama ka thënë se shqiptarët nuk mund të jenë të ndarë kur bëhet fjalë për interesin strategjik.

“Nuk mund të jemi të ndarë për interesin strategjik dhe ky është procesi i dialogut për të arritur në njohjen përfundimtare. Ne nuk mund të presim që Vuçiq të deklarojë se do ta njohë Kosovën apo se ai ndjehet keq se ne nuk jemi në gjendje të jemi në një zë. Kjo është një luftë diplomatike, është shah, nuk është boks”.

“Ne e kemi shumë të lehtë të biem në gracka fare banale siç është ajo e një grupi që qenka angazhuar në një pazar për ta ndarë Kosovën dhe një tjetër për ta mbrojtur atë”.

“Kjo është tallja më e madhe që mund të behet me Kosovën nga ata që me demek e mbrojnë Kosovën – si u ndaka Kosova fshehurazi? Nëse do të ekzistonte premisa apo mundësia që një grup njerëzish ne krye me Thaçin, ku do ta qonin këta Kosovën e ndarë? Do ta sillnin në Kuvendin e Kosovës dhe do të duhej ta kalonin me referendum, e si do të ndodhte kjo?”

klankosova.tv

Konkurs Pune

Lexo më shumë