Lajmet e fundit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër pas zgjedhjes së Albin Kurtit për kryeministër të Kosovës, duke kritikuar mënyrën e sigurimit të votave dhe gjuhën e përdorur nga Kurti pas marrjes së detyrës.
Rama ka pretenduar se Kurti është zgjedhur me deputetët e Vetëvendosjes dhe Listës Serbe, duke theksuar se në sallë nuk kishte deputetë të tjerë shqiptarë.
“Sot, nga ajo sallë, Albin Kurti dole si Kryeministër i Vetëvendosjes dhe Listës Serbe. I Vetëvendosjes, ku sjellja prej palaçoje janë identitet politik dhe i Listës Serbe! Është koha me i tregu qytetarëve çka të lidh me ta dhe prej nga vjen ky besim i ndërsjelltë i joti me serbët?", shkroi Rama.
Ai e ka kritikuar edhe veprimin e Kurtit, i cili me duar bëri gjestin e prerjes me gërshërë.
"Gjesti i tij i parë si Kryeministër ishte: “me pre me gërshërë”. Kënd, Albin? Gazetarët Opozitën? Kundërshtarët politikë? Apo 52.87% e qytetarët që nuk të kanë votuar? Kënd ki me pre me gërshërë, Albin Kurti?", thuhet në reagimin e Ramës.
Sipas të parit të Prishtinës, Kurti si kryeministër duhet të përfaqësojë të gjithë qytetarët dhe jo vetëm votuesit e tij.
“Ditën kur bëhesh Kryeministër, duhet të pushosh së qeni vetëm Kryeministër i atyre që të votuan. Këtu fillon dallimi ndërmjet liderit të një partie dhe Kryeministrit të një shteti”, ka deklaruar ai.
Në reagimin e tij, Rama e ka akuzuar Kurtin edhe për degradim të institucioneve, duke përmendur protestat dhe përdorimin e gazit lotsjellës gjatë viteve të kaluara.
“Ti dikur i përdhose këto institucione me gaz lotsjellës. Sot, nga maja e tyre i degradoje”, ka shkruar Rama./Klankosova.tv