11:54, 3 Korrik 2020

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se e ka mirëpritur me kënaqësi homologun e tij nga Kosova Avdullah Hotin në Tiranë.

Rama, në konferencën e përbashkët për media, njoftoi se me Hotin janë dakorduar që mbledhja e ardhshme e dy qeverive të mbahet në gjysmën e dytë të muajit shtator në Shkodër– nëse situata me pandeminë përmirësohet.

“Ishte kënaqësi si gjithmonë mirëpritja për çdo kryeministër të Kosovës dhe sot për kryeministrin Avdullah Hoti në Tiranë, edhe pse për arsye të rrethanave të jashtëzakonshme që i dini u takuam 48 orë më parë në Prishtinë”.

“Sidoqoftë sot kemi mundësi të flasim më në detaje lidhur me të gjitha aspektet e bashkëpunimit dhe do të vazhdojmë edhe pas kësaj konference të diskutojmë, ndërkohë që jemi dakorduar për të përcaktuar një afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së Shkodrës mes dy qeverive me shpresën që situata jo e lehtë lidhur me Covid-19 të na mundësojë një gjë të tillë në gjysmën e dytë të shtatorit”.

Ai ka njoftuar se në takimin e sotëm janë marrë vesh edhe për organizimin e kongresit të parë të kryetarëve të komunave të Shqipërisë dhe Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Ashtu siç jemi dakorduar edhe për një event tjetër të rëndësishëm që do të zhvillohet për herë të parë mes nesh, gjithmonë me shpresë që situata me Covid-19 do të na mundësojë këtë në Tiranë në Pallatin e Kongreseve në muajin nëntor. Dëshirojmë që bashkërisht, Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës, të sponsorisojmë kongresin e parë të autoriteteve vendore i cili ne dëshirojmë të kthehet në një kongres tradicional ku kryetarët e bashkive, apo komunave siç quhen në Kosovë, të vijnë dhe të ndajnë praktikat e mira, sfidat e përbashkëta në adresimin e poroblemeve komunitare dhe patjetër edhe potencialin e nismave të përbashkëta në fushën e mirëqeverisjes vendore”, njofton Klan Kosova.

Konkurs Pune

Lexo më shumë